SHËNIM: Shqiptarët me maska e pa maska janë shumë të lodhur për të duruar tjetër kaos. Alternativa që i duhet vendit nuk është një maskë e përdorur

Nga Edona Llukaçaj

Sipas një thënieje që i atribuohet Mahatma Ghandit, “një sy për një sy, do ta bënte botën të verbër”. Duke iu referuar parësisht hakmarrjes, eruditi jep edhe mesazhin se t’i (kundër)përgjigjesh një veprimi me të njëjtën monedhë, ndonëse në koncept mund të duket e drejtë, në fakt ka pasoja më të rënda për shoqërinë në tërësi.

Fjala bie “një budallallik për një budallallik, do çmendte botën”.
Kjo është edhe ndjesia që krijon debati i politizuar mbi maskën.
Në fundin e javës së kaluar, Kryeministri deklaroi se duke filluar nga e enjtja mbajtja e maskës në ambientet publike, përfshirë hapësirat e hapura si rrugë e parqe, do ishte e detyrueshme për qytetarët dhe se mosrespektimi i kesaj do ndëshkohej me gjobë.

Ndonëse bëj pjesë te ajo pakicë që mban maskë në mënyrë korrekte, pasi nuk besoj se e kam të drejtën, qoftë edhe padashje, të kthehem në një agjent infektues në shoqëri, vendimi mu duk minimalisht i nxituar dhe pothuajse i paaplikueshëm.

Si ngahera, fillimisht ideja u hodh publikisht si vendim, ndërsa konkretizimi i tij u shty për një tjëtër moment. Kjo acaroi, gajasi dhe i hapi derën spekullimeve dhe përralla-shpikjes në masë.

Efektiviteti i vendimit abstrakt që detyron maskën në rrugë por jo në bare e restorante është i barazvlefshëm me efektivitetin e atij vendimit që ndaloi muzikën live për të evituar tubimet gjatë sezonit turistik. Largpamësia e nismës u kompromentua nga distanca e shezlongëve në plazh dhe e tavolinave në bare e restorante, që u respektua sipas kritereve bazë të ngjyrave partiake apo rrethit shoqëror të pronarit të aktiviteteve.

Detyrimi për vendosjen e maskës në ambient të hapur, në një kohë kur autoritetet nuk ia dolën të bindin shumicën dërrmuese që maska të mos jetë aksesor krahu, qafe a shumë shumë gushe në hapësira të mbyllura, jep idenë se ky vendim është sa ‘për sy e faqe’ të botës. Gjasme, në vend, po e luftojmë armikun e padukshëm hap pas hapi e me çdo mënyrë.

Sikur një vendimi që merret për shëndetin e të mirën e mbarë vendit duhej t’i provohej domosdoshmëria shifrat e raportuara të infektimeve ditore me Covid-19 shënuan një rritje domethënëse. E si për të treguar që e kishin me gjithë mend, ekzekutivi vrapoi të shprehte se mosrespektimi do dënohej me gjoba.

Por edhe kjo u eklipsua nga falja e pothuajse njëkohsishme e të gjitha gjobave paraprijëse për shkeljet e kësaj natyre.

Por sado paradoksale të duket vendimi, thirrja e kryetares së partisë së tretë më të madhe në Shqipëri për mosbindje civile është jashtë çdo standarti. Zonja në fjalë duhet tashmë ta kuptojë se të çirresh për të nxitur mosmbajtjen e maskës së leckës nuk ‘ia çjerr maskën’ pushtetit.

Ajo duhet ta dijë se shqiptarët me maska e pa maska janë shumë të lodhur për të duruar tjetër kaos. Nga trazirat sociale nuk përfiton askush. As edhe ajo me gjithë lëvizjen e vet. Duhet ta mësojë zonja se alternativa që i duhet vendit nuk është një maskë e përdorur…

——-

Botuar në DITA. Ndalohet ribotimi i plotë apo i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë dhe pa citimin korrekt e të dukshëm të burimit

Back to top button
LAJMET E FUNDIT