Takimi Meta-Varhelyin: Do rikthej për rishqyrtim Kodin Zgjedhor, 25 Prilli do të jetë një referendum popullor

Këtë të mërkurë, Presidenti Ilir Meta është takuar me Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Oliver Varhelyi.

Ndërkohë, në një reagim Meta thekson se gjatë këtij takimi e ka falenderuar komisionerin për të gjitha përpjekjet e tij dhe të institucioneve europiane për të mbështetur integrimin europian të Shqipërisë.

Gjithashtu, presidenti u shpreh se e ka informuar komisionerin se do të rikthejë për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor.

Më tej, Meta thekson se në këtë takim ka thënë që do t’u japë përgjigjen e merituar të gjithëve atyre që tentojnë të luajnë me të ardhmen europiane të vendi, pasi 25 Prilli do të jetë një referendum popullor.

“Duke u ndalur tek reforma zgjedhore, përcaktuar si kusht themelor për nisjen e negociatave të anëtarësimit, e informova Komisionerin se do të rikthej për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor.

Duke mirëkuptuar kërkesën dashamirëse të Grupit të PPE në Parlamentin Europian për t’i dhënë edhe një mundësi Kuvendit një-partiak të tërhiqet nga minimi i procesit zgjedhor, me pasoja të rënda e afatgjata ndaj integrimit europian të Shqipërisë, uroj që pushteti të kthehet tek Marrëveshja konsensuale e 5 Qershorit. E garantova Komisionerin Varhelyi se çdo zgjidhje do të vijë nga populli shqiptar.

25 Prilli do të jetë një referendum popullor që do t’u japë përgjigjen e merituar të gjithëve atyre që tentojnë të luajnë me të ardhmen europiane të vendi”, shkruan Meta.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT