Tritan Kalo thirrje politikanëve: Mjaft rrahët krahët e njëri-tjetrit për pushtet dhe pasuri, duhet të dëgjohen këshillat e mjekëve

Mjeku i njohur Tritan Kalo ka shpërthyer dje në akuza dhe thirrje të forta për politikanët tanë. Në ditët e fundit situata nga pandemia është përkeqësuar shumë, pasi rastet e reja janë rritur ndjeshëm. Nga ana tjetër politikanët vijojnë programin e tyre të fushatës elektorale, shpesh herë edhe pa respektuar masat anti-covid.
Madje opozita dhe mazhoranca dalin dhe akuzojnë njëri-tjetrin për situatën në shëndetësi, por në fakt asgjë përmirësim konkret nuk po ndodh. Pikërisht për këtë ka reaguar dje mjeku Kalo. Përmes një postimi në Facebook ai deklaroi se politikanët tanë dalin më media më shumë se mjekët që nevojiten në këtë kohë pandemie. Gjithashtu, sipas tij, e vetmja gjë që ata po bëjnë është të grinden për pushtet dhe për të vjedhur pasuritë e vendit tonë, po askush nuk mendon për shëndetësinë dhe ekonominë e qytetarëve.
“Edhe në kohë kovidiane e njëjta pamje na pret, një dimër i ashpër në aspektin epidemiologjik dhe ekonomik. Shqipëria ime, e jotja e të gjithë shqiptarëve kudo që ata/ato frymojnë po vijon të mbetet në udhëkryqin zhagitës të demon-kracisë. Në një udhëkryq ku natë e ditë shfaqen në “dritat e semaforëve të tij” më shumë plehrat e politikës së çdo ngjyre dhe arome.
A ju dhimbset sado pak ky vend o të panginjur të paudhë edhe në këto ditë kur infeksioni Covid-19 ka vendosur në tehun e “thikës ekzistencialiste” vetë shoqërinë njerëzore. Ju e gjeni kohën të qëndroni kundrejt njëri-tjetrit pa harruar e më pas të mbrehni thikat jo për njëri-tjetrin, por për ndarjen e “tortës së pasurive” të këtij vendi me burime ta pashtershme mbi dhe nëntokësore, dhe për t’i ngulur ato në shpinën e ardhmërisë sonë”, tha mjeku. Në fund të deklaratës së tij, Kalo u bën thirrje të gjithë partive të lënë mjekët të flasin dhe të dëgjohen vetëm këshillat e tyre. Ndërsa u kërkon edhe njëherë të mos fokusohen vetën në fushatën elektorale.
“Bashkërisht ju: PD, PS, LSI, PDK, PSD, PBDNj, PR, LZHK, PAA,etj., e keni ndarë qeverisjen e vendit në këto 30 vite përfshirë edhe shëndetësinë, andaj heshtni dhe ulni të gjithë shpinën përpara punëve dhe halleve të këtij vendi, shumë prej të cilave ju vetë na i krijuat …këshillohet prej Mantelbardhëve mos grumbullimi i njerëzve, respektimi i distancimit fizik si dhe mbajtja e maskave mbrojtëse, ndërsa ndërkohë në ekranet televizive në çdo sekondë na shfaqen grumbullime të tilla elektorale…a jeni vallë në metro, keni kohë deri më 25 Prill 2021 për të mësuar Verdiktin e sovranit… Quo vadis Shqipëria ime”, shkruan Kalo.