“Turp për BE-në”/ Shpërthen Rama: Kosova është marrë peng!

Në mbledhjen e përbashkët që po zhvillohet mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, kryeministri Edi Rama tha se është një turp për Bashkimin Evropian mosliberalizimi i vizave për shtetasit e Kosovës.
Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se Kosova është marrë peng i dinamikave të brendshme në vende të caktuara të BE.
“Mosliberalizimi i vizave për Kosovën është një turp për BE. Kosova është marrë peng i dinamikave të brendshme në vende të caktuara të BE.
Kosova është marrë peng i logjikës elektorale në vende të ndryshme të BE dhe Kosova duhet të presë si mbaroi në palë zgjedhje në një vend dhe pastaj kur ka zgjedhje në një vend tjetër. Kam folur pa pushim për këtë temë me ata që i kam takuar në Evropë dhe akoma nuk arrijë dot ta kuptoj asgjë nga ato që thonë, por kuptoj që arsyeja është ajo që nuk thonë.
Kosova e paguan me mosliberalizim të vizave, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e paguajnë me sajesa pas sajesash, sipas konfiguracionit elektoral në një vend dhe një vend tjetër, dhe rajoni e paguan në tërësi.
Kjo është arsyeja pse unë jam i bindur që nëse bashkëpunimi dhe integrimi rajonal, absolutisht nuk lidhet me integrimin evropian, por është padyshim një valvul e rëndësishme shkarkimi për sa i përket presionit të madh dhe objektiv mbi tregjet shumë të vogla, që ne jemi të ndarë nga njëri-tjetri. Zgjerimi dhe integrimi i tregjeve në rajon nuk sjell asgjë të keqe, përkundrazi sjell më shumë ekonomi, punësim dhe mundësi për paqe apo zgjidhjen përfundimtare të çështjes themelore, që është njohja e Kosovës nga Serbia”, deklaroi kryeministri Rama.