Zani Çaushi kërkoi lirimin me kusht, Frrok Çupi: Ai është produkt i shtetit të asaj kohe

“Kam fëmijë të mitur për të rritur, jam rehabilituar pasi ¾ e dënimit i kam shlyer në qeli. Më pranoni kërkesën time për t’u liruar me kusht parakohe”. Kjo është kërkesa për liri që ka dorëzuar në gjykatë ish-kreu i bandës famëkeqe të Çoles, Myrteza Caushi e cila në vitin e mbrapsht 1997 drejtonte Vlorën.
Kanë kaluar 20 vite që nga dhënia e masës për të, por Zani pretendon se duhet të lirohet me kusht. Ai dëshiron të fitojë lirinë bazuar në ligjin penal të vitit 2000.
Zani kërkoi lirimin me kusht më 14 maj, por në procesin gjyqësor që u zhvillua në korrik u tërhoq nga kërkesa e tij. Zani rinisi betejën e tij për lirimin me kusht në shtator, pasi kërkon t’i llogariten mirë vitet e kaluara në burg. Ai pretendon se i ka bërë vitet mjaftueshëm për t’u reabilituar dhe kërkesën e tij e mbështet dhe te fakti se ka krijuar familje dhe ka dy fëmijë të mitur.
Kjo kërkesë e tij u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel”, ku në një lidhje të drejtpërdrejtë ishte Frrok Çupi, i cili tha se “Zani është produkt i shtetit të asaj kohe”.
“Vetë shteti vrau njerëz, e pse një individ të mos vriste njerëz. Bandat i prodhoi vetë shteti. Shteti hapi depot e armëve, nuk është se u hapën vetë papritmas. Këto hedhën në katrahurë shtetin”, tha Çupi.
Sipas Frrokut, shteti prodhonte njerëz si Zani, në mënyrë që fajin t’ua linte atyre për vrasjen e njerëzve. “Shteti në vitin ’97 përçau vendin. U krijuan në Shqipëri qytete-shtete. Vlora në atë kohë ishte një qytet-shtet. Forcat e shtetit deshën që të bombardonin urën në mënyrë që Vlora të mos kishte as bukë për të ngrënë, e djemtë e Vlorës u mblodhën për të ruajtur popullin nga uria. Gjithçka ka qenë e organizuar nga shteti. Shteti krijoi luftën, shteti krijoi edhe vrasjen e 3 mijë vetëve. Cili nga ata të shtetit që urdhëruan hapjen e piramidave financiare apo ka bërë krime të tjera, është dënuar? Kemi përballë Zanin dhe shtetin. Kush është në burg dhe kush jo?”, tha Çupi.