Aktakuzat ndaj Thaçit dhe Veselit, flet Berisha: Çdo gjë e stisur! U fabrikua në Beograd dhe u përdor nga senatori Dick Martin, ky serbofil që…

Ish-kryemiministri i Shqipërisë Sali Berisha ka komentuar ngjarjen e fundit në Kosovë, ku Thaçi dha dorëheqjen si president dhe u nis drejt Hagës, pasi iu konfirmuan aktakuzat për krime lufte dhe transplant organesh.
Berisha tha në “opinion” se çdo gjë është e stisur dhe e fabrikuar në Beograd, e më pas u përdorën nga senatori Dick Martin.
Pyetje: Z.Berisha kjo çështje është diçka personale apo çfarë?
Berisha: Dua të shpreh nderimin tim, solidaritet për qytetarët e Kosovës, për luftën e lirisë, e cila përbën luftën më të ndritur që nga lufta e Skënderbeut. Së dyti dua të them se kemi të bëjmë me një procedurë të paralajmëruar, krejtësisht dhe qartësisht, për vite e vite. Kemi të bëjmë me një proces i cili në vlerësimin tim u fermentua në Beograd duke përdorur senatorin Dick Martin. E kam njohur, ishte serbofil dhe rusofil i papërmbajtur. Ai nuk i fshihte ndjenjat e tij proserbe. E ka pohuar vetë ish-prokurori i Beogradit atë kohë. Unë e kundërshtova aktakuzën në të gjitha nivelet ndërkombëtare. Në PE, në KE, e kudo. Sepse në mënyrën më djallëzore, ky kishte vendosur në raport transplant organesh, që ishte krimi më monstruoz. Unë e dija që ishte një trillim i stisur. Gjtën një familje të varfër në Burrel, të thoshte se e kishte kthyer shtëpinë në spital ku bëhej transplante organesh. Por kjo nuk është bërë kurrë. Se si ndërrojnë akuzat është punë tjetër. Rusët kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për ta çuar këtë çështje në Hagë. Siç di unë, SHBA-të nuk e pranuan që të diskutohej në OKB, dhe ngritën në Kosovë një gjykatë speciale. Gabimi i madh është bërë që ajo është pranuar e njëanshme.