Ambasada Shqiptare në Athinë jep lajmin: Shërbimi nuk mbyllet, puna do të vijojë si normalisht

Mbas reagimeve të shumta të emigrantëve lidhur me pezullimin e shërbimit në ambasadën Shqiptare në Athinë, ka qenë i menjëhershëm edhe reagimi i shërbimit tonë diplomatik në Greqi.
Pa humbur kohë, në një njoftim të bërë gjatë orëve të vona të natës, ambasada Shqiptare në Athinë njofton se do të vazhdojë normalisht shërbimin e saj, dhe nuk do të mbyllë shërbimin konsullor nga data 9 deri në 30 nëntor, siç kishte paralajmëruar më parë.
Top Channel ka mësuar se ka qenë vetë kryeministri Edi Rama i cili ka kërkuar që të vazhdojë funksionimi i ambasadës dhe konsullatave Shqiptare në Greqi, për të vazhduar dhënien e shërbimeve në përfaqësitë tona diplomatike,por duke marrë masa shtesë mbrojtje nga covid 19.
Po punohet që shtrirja e takimeve për aplikimet të jetë në distancë te saktë kohore nga takimi i radhës, ndërsa personeli do të mbajë distancë dhe do të marrë masa të forta sigurie, siç janë maskat, mburojat e fytyrës dhe dorezat.
Edhe ambientet do të dezinfektohen disa herë në ditë,ndërsa masa janë marrë edhe për matjen e temperaturës së personave që do të hyjnë brenda ambienteve të përfaqësive tona diplomatike në Greqi.
Muajt e fundit ambasada Shqiptare në Athinë punon me orare të zgjatura,madje që nga korriku i këtij viti, janë kryer më shumë se 30.000 aplikime për pasaportë dhe kartë identiteti, duke mundësuar afatin e aplikimit për pasaportë në më pak se 24 orë, nga 5-6 muaj që ky afat ishte përpara korrikut, kohë që ministri i jashtëm, Gent Cakaj, shkarkoi gjithë stafin e kësaj ambasade, për paaftësi dhe korrupsion të lartë.