Ambasadori izraelit në Shqipëri: Njohja e Kosovës, çështje javësh

Ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gentler, ka thënë se njohja e Kosovës nga vendi i tij do të përmbyllet brenda disa javësh.

“Negociatat kanë filluar mes Izraelit dhe Kosovës, por edhe mes Izraelit dhe Serbisë, do të duhet edhe disa javë për të arritur një marrëveshje dhe me këtë marrëveshje besoj se kemi njohjen zyrtare. E pasuar kjo me hapjen e ambasadës së Kosovës dhe Serbisë në Jerusalem”, tha diplomati Gantler.

I pyetur se pse është kaq e rëndësishme për Kosovën të njihet nga shteti i Izraelit, diplomati izraelit tha se “kjo është një pyetje që kërkon përgjigjen e popullit të Kosovës, por ne kemi simpati për popullin shqiptar”.

“Unë e di që atje jetojnë kosovarët dhe ne duhet të bëjmë çmos të asistojmë popullin tuaj. Ne e kemi bërë edhe pa njohjen në të kaluarën, por me njohjen do të jetë më e lehtë”, u shpreh më tej ambasadori izraelit në Shqipëri.

“Duke parë historinë e përbashkët dhe duke parë kurajën e jashtëzakonshme të popullit tuaj në të kaluarën, sidomos në luftën e dytë botërore… pra kjo është baza dhe është një bazë shumë e fortë, jo vetëm në opinion tim, por edhe më gjerë. Pra, duke u nisur nga kjo, mund të ndërtojmë ura të tjera në ekonomi, aspektin akademik, kulturë etj. Të gjitha kushtet janë të shkëlqyera, nuk ka asnjë pengesë dhe do të bëjmë çmos në të ardhmen”, potencoi diplomati Gantler.

Ndërsa profesori Lisen Bashkurti, duke folur për procesin e njohjes së Kosovës nga Izraeli, tha se ky proces është në fazën përgatitore të njohjes, që kalon përmes procesit të negociatave.

“Si edhe e tha ambasadori, ata duan të kenë edhe një lloj mirëkuptimi me Serbinë dhe kjo është karakteristikë e një diplomacie profesionale. Por është e rëndësishme për Kosovën të fillojë procesin e njohjes, pasi është ndaluar prej disa kohësh. Formalisht dhe politikisht është shumë e rëndësishme për Kosovën. Por mos harroni, Izraeli është një shtet që matet edhe me efikasitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare”, tha Bashkurti.

Studiuesi i çështjeve hebraike, Mal Berisha, tha se vendosja e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Izraelit u festua në Shtëpinë e Bardhë dhe shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë ndërtuar pa mundim të jashtëzakonshëm edhe nga diaspora.

“Një rol të shumë të madh në luftën e Kosovës kanë luajtur dhe anëtarë të lobit hebraik në SHBA. Personalitete me peshë të madhe, si ish-sekretarja e shtetit, Madeleine Albright, që u bë një dashamirëse e madhe e çështjes së Kosovës. James Rubin, ish-zëvendëssekretar i shtetit. Pa harruar Senatin amerikan, me personalitet të shquara”, theksoi Berisha.

Raportet mes Izraelit dhe Shqipërisë, ambasadori Gentler i quajti shumë të mira, por shtoi se ka hapësirë për t’u përmirësuar edhe më tej.

“Pa dyshim që në këtë periudhë është pak e vështirë për të punuar në këtë aspekt diplomatik, për shkak të COVID-19. Por kur të mbarojë, do të bëjmë atë që duhet, sidomos në sjelljen e investimeve izraelite, turizmin, duke sjellë më shumë turistë izraelitë në Shqipëri, por edhe në aspektin e shëndetësisë, teknologjisë etj.”.

“U përpoqëm që të vinim me idenë e re për një projekt të madh për sjelljen e njohurive në fushën e bujqësisë. Që do të ndiqet nga investime të tjera besoj në këtë fushë”, deklaroi Gentleri.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT