Andi Lila kandidat për deputet, gazetarja e sportit: Nuk ka nevojë t’i futet politikës, i dëgjohet fjala edhe…

Pak ditë më parë bëri xhiro në rrjet një video kur Andi Lilën e pengojnë që të bëjë një intervistë në stadiumin e Kavajës. Ish-lojtari i kombëtares shqiptare po jepte intervistë kur zyrtarë të Bashkisë i ndërpresin fjalën.
Kjo situatë e pakëndshme për Lilën, u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live”, ku në studio ishte e ftuar gazetarja e sportit, Sidorela Gjoni. Sipas saj, gazetarja që po i merrte intervistën Lilës, duhej që të kishte kërkuar leje që të hynte në stadium.
“Duhej të kishte marrë leje gazetarja. Unë marr leje kudo që shkoj. Në shtëpinë time nuk mund të hysh pa leje. Por Andi e meriton që të hyjë në atë stadium, arsyeja se pse kanë vendosur që të mos e fusin është se në atë stadium fusin delet për të kullotur. Duket se ishte politike, pasi edhe ai që po largon Lilën i thotë “mos e bëj politike”, tha Sidorela.
Sipas saj, bashkia nuk ka investuar në atë fushë dhe nuk i leverdis që Lila të bëjë intervistë aty. “Edhe po t’ia kishin kërkuar lejen, sërish Bashkia nuk do e lejonte të futej për shkak të kushteve”, shtoi gazetarja.
Ndërkohë në lidhje me kandidimin e ish-futbollistit si deputet i Partisë Demokratike, Sidorela u shpreh se nuk pëlqen kur futbollistët merren me politikë.
“Andi nuk ka nevojë që të bëhet deputet që t’i dëgjohet fjala. Andi është djalë pozitiv. Andi e ka impaktin për t’ju dëgjuar fjala pa u futur në politikë. Andi është djalë shumë inteligjent dhe nuk më habit fakti se do të bëhet deputet. Lila është drejtuesi më i lartë i Sindikatës së Futbollit. Ka shumë zgjedhje të tjera për të kandiduar në futboll, s’ka nevojë për të hyrë në politikë”, tha gazetarja e sportit, e cila mori si shembull edhe ish-futbollistë të tjerë që tani merren me futboll në mënyra të tjera.