Arrestimet/ Haradinaj kërkon ndërprerjen urgjente të dialogut me Serbinë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, aleate e qeverisë së Avdullah Hotit i ka kërkuar qeverisë të ndërpresë urgjent bisedimet me Serbinë, pas arrestimeve të krerëve të UÇK-së.
Në një komunikatë për shtyp, theksohet “AAK kërkon:
1.Mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë për gjendjen e krijuar pas ngritjes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara. Qeveria duhet të ndërprejë menjëherë të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re
2.Mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës për situatën e sigurisë së përgjithshme
3.Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në përkrahje të vlerave të UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë
4.Takim të të gjithë spektrit politik për gjetjen e unitetit kombëtar në ballafaqimin me sfidat politike dhe kushtetuese
– AAK pyet aleatët tonë strategjik ndërkombëtarë, se a jemi në rrugën e duhur për antarësim në NATO, apo këto ngjarje do e kthejnë Kosovën prapa?”
Pas tërheqjeve nga postet publike apo funksionet e tjera kanë mbërritur në Aeroportin Ushtarak, ish-presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK-së Kadri Veseli dhe shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi. Ata janë nisur nga Selia e EULEX-it./GazetaShqip