Basha: Kam 7-8 persona të infektuar me COVID mes miqve e familjarëve të mi, im atë kishte ditëlindjen, s’ka gjë më të dhimbshme se të mos e urosh dot fizikisht

Kryetari i Partisë Demokratike ka deklaruar se në rrethin e tij familjar dhe të miqve të tij, ka pasur shumë raste me Covid-19.
Në një takim me studentët në Qytet Studenti, Basha tha se ka pasur 7-8 raste me Covid-19 në rrethin e tij të ngushtë.
“Vetëm nga rrethi im i ngushtë, i bashkëpunëtorëve, miqve apo familjarë, ka patur 7 apo 8 raste me Covid. Prandaj ju them që duhet të bëjmë gjithçka për t’i mbrojtur, në radhë të parë nga Covid, pastaj nga pasojat që vijnë nga pandemia”, tha Basha ndër të tjera.
Ai ka bërë thirrje për mbrojtjen e personave që janë më të ekspozuar ndaj rrezikut të COVID-19.
Basha u shpreh se edhe ai vetë kishte një muaj e gjysmë pa takuar prindërit.
Ai madje tregoi se para dy ditësh i ati kishte pasur ditëlindjen, duke shtuar se “nuk ka gjë më të dhimbshme se sa të mos e urosh dot fizikisht”.
“Na duhet të marrim masa ekstreme dhe kërkesa e parë është që ne së bashku të bëjmë gjithçka për të mbrojtur njerëzit më të ekspozuar ndaj sëmundjes. Kam 1 muaj e gjysmë pa i parë prindërit, madje para dy ditësh kishte ditëlindjen im atë dhe nuk ka gjë më të dhimbshme se sa mos të kesh mundësi për ta uruar fizikisht, por duhet t’i mbroj. Po të jetë për qeverinë, ata janë në mëshirë të fatit”, tha Basha.