Bota mban frymën, në SHBA nuk ka fitues: Presidenti i ri drejt Gjykatës së Lartë

E gjithë bota po“mban frymën” për të pritur me padurim se cili do të jetë presidenti i ri Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas afro 20 vitesh duket se do të kemi sërish precedentin e votimeve mes Xhorxh Bush i riu me Al Gore, ku fati i zgjedhjeve u vendos nga vendimi i Gjykatës së Lartë.
Edhe pse nuk ka një fitues zyrtar, kandidati republikan Donald Trump paralajmëroi një fitore të tillë, duke deklaruar se po kryhen manipulime votash. Rezultati i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 mbetet i paqartë në mëngjes pas Ditës së Zgjedhjeve, me disa shtete të fushës së betejës akoma shumë afër për t’u thirrur dhe të dy shtabet elektorale të gatshme për të ecur përpara me procese gjyqësore mbi numërimin e votave.
Ekipi i fushatës së kandidatit demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se do të luftojë çdo përpjekje të fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, për të shkuar në Gjykatën Supreme për të ndalur organizimin e votave, transmeton AP.
Menaxherja e fushës së Bidenit, Jen O’Malley Dillon, i ka cilësuar “të pashembullta” dhe ”jokorrekte” deklaratat e Trumpit se do të shkojë në Gjykatën Surpeme dhe do të kërkojë “të ndalet gjithë votimi”.
O’Malley Dillon ka thënë se fushata e Trumpit ka ekipe ligjore që janë të gatshme të angazhohen dhe t’u rezistojnë këtyre përpjekjeve. Ajo ka thënë se këto ekipe “do të triumfojnë”.
Në disa shtete amerikane ende kanë qindra mijëra vota të panumëruara dhe rezultati përfundimtar varet nga një pjesë e shteteve kyçe që nuk i kanë shpallur ende rezultatet. Për të fituar, një kandidati i duhen 270 vota elektorale.
Sipas VOA-s, në orët e ardhshme dhe ndoshta për disa ditë, vëmendje e madhe do t’i kushtohet numërimit të votave në Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsin – shtete që ndihmuan t’i jepnin fitoren zotit Trump në vitin 2016 dhe që dolën si fushat kryesore të betejës elektorale përsëri në vitin 2020. Pensilvania është një nga disa shtetet ku me sa duket do të duhet kohë shtesë për të numëruar votat e shumta të hedhura me postë nga amerikanët të cilët preferuan të mos votonin personalisht për shkak të pandemisë së koronavirusit./Gazeta Shqip