COVID trondit Shqipërinë/ Shuhet mjeku i njohur, akademikja dhe 28 vjeçarja shtatzënë

Tre persona kanë humbur jetën sot në Shqipëri, duke e thelluar edhe më tej bilancin tragjik të pandemisë në Shqipëri.
Viktimat janë një mjek dhe një pedagoge e njohur, si dhe një 28 vjeçare, e cila ishte edhe shtatzënë.
Shuhet mjeku Ilirjan Draçi
Ilirjan Draçi, doktori i njohur në Tiranë është ndarë nga jeta. Lajmin e trishtë e ka dhënë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
“Dr. Ilirjani nuk ia doli në betejën me virusin e pabesë, me gjithë përpjekjet e mëdha të kolegëve në spitalin Infektiv. E trishtuar nga kjo humbje e madhe për të gjithë ne. Do na mungojë shumë energjia e pashtershme dhe shpirti i sakrificës të një mjeku model, qytetari të mirë dhe drejtuesi të zot. U prehsh në paqe dr. Draçi, Ne do ta fitojmë luftën ndaj këtij armiku të padukshëm të gjithë”, shkruan Manastirliu në Facebook.
Doktor Draçi ka shërbyer më së shumti për komunitetin e banorëve të Tiranës si mjek dhe drejtues në poliklinikën e specialiteteve nr.1.
Vdes guaja shtatzënë, 28-vjeçarja po kurohej për Covid-19
Mbrëmjen e djeshme ka humbur jetën në Spitalin Infektiv një 28-vjeçare e infektuar me Covid-19, e cila ishte në pritje të një fëmije.
E shtruar në QSUT, 28-vjeçarja që ndodhej në muajin e pestë të shtatzënisë nuk arriti të mbijetojë pavarësisht përpjekjeve të mjekëve reanimatorë për t’i shpëtuar jetën.
Mësohet se gjendja e saj ishte tepër e rëndë, ndaj edhe e ndjera u dërgua te kirurgjia në QSUT, ku pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale, e reja nuk ia doli.
Shuhet akademikja
Betejën me koronavirusin e humbi edhe pedagogia e Fakultetit Ekonomik, Irena Bogdani.
Lajmin e ka konfirmuar me anë të një mesazhi në Facebook Universiteti i Tiranës.
“Me hidhërim të thellë mësuam ndarjen nga jeta në mënyrë të beftë kolegia jonë e shtrenjtë, Prof. Asoc. Irena Bogdani. Ashtu siç jetoi dhe punoi me fisnikëri, urtësi dhe thjeshtësi, ashtu edhe u nda nga kjo jetë pa përzier askënd në vuajtjen e saj. Në këto ditë të trishta për të gjithë ata që e deshën, e vlerësuan dhe mësuan prej saj, ne duam t’iu shprehim ngushëllimet me të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve e studentëve të profesoreshë Irenës, si dhe të kujtojmë e nderojmë jetën e saj, arritjet, punën, këmbënguljen e pafjalë dhe drejtësinë e pashoqe që e karakterizonte. Kolegët, studentët dhe miqtë e saj do ta kujtojnë gjithmonë si profesioniste të shkëlqyer, bashkëpunëtore korrekte, model qytetarie në marrëdhëniet njerëzore. Dritë pastë shpirti i saj!”, thuhet në postim.
Një reagim për akademiken ndau edhe Ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
“Për profesoreshë Irena Bogdanin në Universitetin e Tiranës ruaj mbresat më të mira nga shumë konferenca shkencore ku kemi marrë pjesë së bashku. Ajo ishte një akademike e profesioniste shumë e mirë dhe gëzonte respekt tek të gjithë kolegët e studentët. Shumë e pikëlluar për humbjen e saj të parakohshme nga virusi i pabesë dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe gjithë të afërmit e saj. U prehsh në paqe profesoreshë Irena!”, shkruan Ministrja.