Festa e Çlirimit, e ndan me Bashën, Kryemadhi sërish shfaqet pa maskë dhe takon njerëzit (video)

Edhe pse pjesë e koalicionit të opozitës, kryetarja e LSI i qëndron traditës të së majtëve për ta festuar ditën e Çlirimit të Shqipërisë më 29 nëntor ndryshe nga çfarë ka bërë kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili e ka uruar dje dy festat njëherësh, atë të Pavarësisë dhe të Çlirimit të Shqipërisë.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zhvilluar sot homazhe, e shoqëruar nga drejtues të kësaj partie, si dhe të rinjtë. Ajo që vihet re është se edhe këtë herë ka shkelur masat anti-COVID, duke mbledhur grumbull partinë e saj dhe asnjë prej tyre nuk ka vënë maskë, me në krye vetë kryetaren. Madje ajo nuk ngurroi që t’i shtrëngonte dorën njerëzve, ku një pjesë e tyre ishin pa maskë, si dhe të përqafonte të pranishmit..
Pas kësaj ceremonie, Kryemadhi dha një deklaratë për mediat. “Është më e pakta që mund të bëjmë sot në emër të LSI-së, për të vendosur një kurorë në shenjë respekti dhe mirënjohje të 28 mijë djemve dhe vajzave shqiptare për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashist. Por ajo që është akoma më e rëndësishme, është që detyra jonë jo vetëm si klasë politike, por detyra jonë si nëna, si gra dhe si vajza, është për të rrënjosur akoma më shumë në zemrën e të rinjve dhe të rejave tanë atë që është shumë më e rëndësishme, dëshira, pasioni dhe dashuria për vendin, dashuria për flamurin, dashuria për atdheun tonë”, u shpreh kreu i LSI-së.
Kryemadhi më tej theksoi se kjo ditë duhet t’i shërbejë klasës politike për t’i dhënë fund tranzionit të gjatë 30-vjeçar.
“Nëna Shqipëri është jo simbol, por nëna Shqipëri është jeta e çdo shqiptari. Prandaj është detyra jonë që sot në këtë ditë përkujtimore, jo thjesht për t’u kujtuar, por është ditë që duhet të rrënjoset në mendjet tona dhe sidomos të klasës politike, që të mos bëjmë më gabimet që kemi bërë dhe për të mbyllur njëherë e përgjithmonë këtë situatë tranzicioni, në këtë vit të mbrapshtë siç ishte viti i pandemisë, apo edhe situata pas tërmetit të 26 nëntorit, për të ringritur edhe njëherë pasionin dhe dashurinë për vendin, për të pasur respekt dhe mirënjohje, jo vetëm për dëshmorët tanë, por për të pasur respekt dhe mirënjohje për punën e atyre djemve dhe vajzave që kanë bërë për Shqipërinë. Lavdi dëshmorëve! Faleminderit”, theksoi Kryemadhi.