FOTO/ Del jashtë kontrollit situata në Itali, pacientët shtrihen në korridore, ambulancat në radhë

Vijon të jetë e rëndë situata nga koronavirusi në Itali.
Në 24 orët e fundit, nga 147,725 testime janë konfirmuar 25,271 raste me koronavirus. Rajoni me rritjen më të madhe të rasteve është Lombardia me 4,777 infektime.
Autoritetet shëndetësore njoftuan po ashtu për 356 humbje jetësh, për një total prej 41,750 fatalitetesh.
Fatmirësisht, rreth 10,215 pacientë janë shëruar në 24 orët e fundit.
Megjithatë eksperti i lartë i shëndetit, Massimo Galli tregoi se situata në Itali ka dalë jashtë kontrollit. Galli mbështeti idenë e një bllokimi total, teksa në disa spitale kapacitetet janë ezauruar dhe pacientët shtrihen në korridore.
Radhë ambulancash me pacientë Covid-19
Një foto që të lë pa frymë, e destinuar të bëhet simbol dhe të mos shuhet nga sytë e shumë njerëzve. Një varg i gjatë ambulancash përpara spitalit ”Mauriziano” të Torino, shkruan gazeta italiane ”La Repubblica”.
”Të gjitha në kolona me sirenat e fikura, motorët dhe dritat e ndezura. Ata që i kanë parë nuk mund të mos mendonin se ato janë simptoma e një pandemie që është në momentin e saj më kritik”, shton gazeta.