FOTO/ “Vishet” kuqezi me flamujt e UÇK-së vendlindja e Adem Jasharit

28 Nëntori, përveçse Dita e Pavarësisë, është edhe dita e lindjes së heroit të luftës së Kosovës, Adem Jashari.
Në fshatin Prekaz, ku është shkruar një nga faqet më të rëndësishme e të dhimbshme të kombit shqiptar, ku u martirizua e gjithë familja Jashari prej dhunës së makinës serbe, sot i gjithë qielli i zonës është mbuluar nga flamujt kuqezi.
Në nder të Festës së Flamurit dhe ditëlindjes së heroit legjendar Adem Jashari mbi Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz ka fluturuar parashuta që mbajnë flamurin shqiptar dhe simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Foto i ka publikuar në faqen e tij në Facebook, djali i heroit Hamëz Jashari, Bekimi, i cili është edhe kryetar i komunës së Skënderajt, që përfshin të gjithë krahinën e Drenicës.
“Pamje e jashtëzakonshme dhe madhështore nga fluturimi i parashutistëve mbi Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Lavdi dëshmorëve të Lirisë”, shkruan ai në Facebook.
Fluturakët i kanë sjellë grupi i “Tifozave Kuqezi” që ka vizituar kompleksin monumental dhe familjen Jashari në Prekaz, ku kanë valëvitur edhe flamujt e UÇK-së.
GazetaShqip