Gjesti human nga shqiptarët e Malit të Zi për familjen e prekur nga tërmeti, Lajçi: Kanë ndarë kafshatën e gojës…

Me rastin e 1-vjetorit të tërmetit të tmerrshëm të 26 nëntorit të 2019-s, një shkollë e vogël në Rozhajë të Malit të Zi, ka marrë një iniciativë shumë prekëse.
Drejtori i kësaj shkolle shqipe, Haxhi Lajçi ka bërë një udhëtim të gjatë për të qenë në studion e “Shqipëria Live” për të folur për iniciativën e tij.
“Dikur isha në lidhje të drejtpërdrejtë për të folur për shkollën që u dogj. Tani mësimi bëhet në një ndërtesë afër, e dedikuar për ambulancën”, tha fillimisht ai.
Më pas tregon se si me përkrahjen e këshillit të arsimtarëve dhe nxënësve morëm iniciativën për të grumbulluar para për t’ia dhuruar një familje që ka patur dëme nga tërmeti.
“Unë e kam ndjerë në shpirt atë ngjarje e ashtu edhe nxënësit. Menduam se po ta dërgonim në llogarinë e shtetit do të ishte si një pikë ujë në det. Por erdhëm e kërkuam nga ju gazetarët që të na gjenit një familje që ta ndihmonin para festave të fundvitit. Familja që është përzgjedhur është e Flamur Muratit nga Manza dhe do i japim një shumë të vogël prej 1415 euro.
Ka qenë një dashamirësi e madhe dhe një solidaritet i madh edhe nga boshnjakët. Na janë bashkuar edhe fëmijët që kishin dalë për të blerë ndonjë gjë për vete dhe janë kthyer që t’i hedhin në kutinë e ndihmës. Janë 200 persona që kanë kontribuar.
Unë sot kam udhëtuar gjatë gjithë ditës për të qenë këtu tek ju. Njerëzit kanë ndarë kafshatën e gojës. Dëmet që solli tërmeti i Shqipërisë ka qenë një dhimbje për të gjithë.
Jetojnë në një mënyrë jashtëzakonisht jo të mirë ata që ndihmuan në mbledhjen e parave. Infrastruktura e asaj pjese të Malit të Zi duket se është lënë në harresë. Këtë vit ka pak ndryshime, e shpresojmë që të bëhet vend turistik pasi ka natyrë shumë të bukur”, tha drejtori i shkollës.