Gjykimet e Thaçit e Veselit në Hagë shkaktojnë përplasje në qeverinë e Kosovës

Vendimet e Gjykatës Speciale për të dërguar në Hagë, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli kanë sjellë përplasje në mbledhjen e qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Avdullah Hoti zhvilloi një mbledhje urgjente pas dorëheqjes së presidentit Thaçi, me qëllim për të mbajtur një qëndrim në lidhje me këto zhvillime të forta që mund të ndikojnë edhe në të ardhmen e këtij kabineti të brishtë qeveritar.

Por në këtë mbledhje janë vënë re qëndrime të ndryshme të ministrave në raport me atë kryeministrit Avdullah Hoti.

Ministri i Drejtësisë Selim Selimi në mbledhjen e Qeverisë ka kërkuar që të pezullohet dialogu me Serbinë deri në një moment tjetër të përshtatshëm. Ai e ka quajtur një goditje të rëndë për shtetin e Kosovës aktakuzat e ngritura ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

“Këto aktakuza më shumë se efekt juridik po prodhojnë efekt politik për të cilën s’bën të qëndrojmë duarkryq. Konsideroj se Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë menjëherë dialogun deri në një moment tjetër. Dhomat e Specializuara duke pranuar dosjet e fabrikuara nga shërbimi sekret i Millosheviçit derisa nuk e bën të qartë se UÇK-ja nuk është një grup i organizuar kriminal atëherë brishtësia e sigurisë nacionale është e shprehur”, ka thënë Selimi.

Ministri ka thënë se janë për drejtësi ,por Gjykata duhet të tregojë se është një gjykatë e Kosovës që nuk operon me prova nga eksponentët e Serbisë.

“Si Qeveri duhet të insistojmë për më shumë transparencë nga Dhomat e Specializuara. Të gjithë jemi për drejtësi sepse jemi të bindur në pastërtinë e UÇK-së. Për të vazhduar dialogun na duhet legalitet dhe legjitimitet të kontrollit dhe balancimit kushtetues”, ka thënë Selimi. “Ne duhet të ndërpresim proceset tona që lidhen me dialogun me Serbinë deri në një situatë të re, çdo lëvizje tjetër mund të jetë në favor të dikujt tjetër”.

Por kryeministri Hoti ka deklaruar se duhet të respektojmë vendimet e drejtësisë dhe ndarjen e pushteteve. “Duhet ta respektojmë plotësisht parimin e ndarjes së pushteteve, në veçanti besoj se ministri i Drejtësisë e ka më shumë se ne të qartë këtë çështje. Ne nuk ndërhyjmë dhe nuk komentojmë vendimet e organeve të drejtësisë. Në qeverinë e Kosovës nuk ka hapësirë për sjellje ndryshe, duhet ta respektojmë plotësisht parimin e ndarjes së pushteteve”, replikoi Hoti përpara se të mbyllë mbledhjen e qeverisë./Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT