Investimin 1 milion euro e ‘merr’ lumi, mbetje spitalore në breg të detit

Në vitin 2016, Ministria e Mjedisit akordoi më shumë se 1 milion euro për ndërtimin e një impianti që do pastronte mbetjet plastike dhe ato spitalore nga lumi Shkumbin. Impianti funksionoi disa muaj, ndërkohë që nga fillimi i vitit 2019, nuk funksionon. Mbetje spitalore shkojnë në det, ndërkohë që Bashkia Rrogozhinë “ngre supet”.
Rreth 500 metra larg kalasë së Vilë Bashtovës në Rrogozhinë, u ndërtua një impiant për pastrimin e lumit Shkumbin. Sipas dokumenteve, investimi ishte rreth 1 milion euro dhe synonte pastrimin e mbetjeve plastike dhe mbetjeve spitalore nga lumi Shkumbin. Investimi u bë nga ministria e Mjedisit në vitin 2016, ndërkohë qe u ndërtua për disa muaj nga firma fituese JV”ITS”& “Shijaku”dhe “Zenit Ambiente”. Madje, krahas 1 milion eurove, u shpenzuan edhe për mbikëqyrjen e këtij impianti.
Por, kanë kaluar tre vite dhe ky impiant nuk funksionon. Mekanizmat e impiantit i ka zënë ferra dhe është jashtë funksioni. Gazetarët e Fiksit ishin pranë këtij impianti dhe panë nga afër mosfunksionimin e tij. Madje pritat lumore që duhet të ishin nga të dyja anët e lumit ishin mbuluar nga ferrat, por për aq kohë sa ai ka funksionuar ,impianti ka pastruar disa mbetje plastike dhe disa mbetje spitalore të gjetura në vend.
Fiks Fare shkoi dhe në grykëderdhjen e lumit Shkumbin, në detin Adriatik. Zona është e mbuluar me mbetje plastike në të dyja anët e lumit, por edhe në det, ka me tonelata mbetje plastike dhe spitalore, të cilat duhet t’i zinte prita 1 milion euro. Madje edhe një peshkatar i gjendur aty tregon se sa herë që lumi ka prurje, në grykëderdhjen e Shkumbinit vijnë me tonelata mbetje plastike dhe mbetje spitalore. Tregon se impianti ka funksionuar disa muaj, por tani është jashtë funksioni dhe si rrjedhojë e gjithë vija bregdetare është e mbushur me mbetje nga të dyja anët e lumit.
Pas kësaj problematike, Fiks Fare kërkoi informacion në Bashkinë e Rrogozhinës. Në përgjigje, kjo bashki thotë se “impianti ka funksionuar deri në prill 2019”. Sipas saj me daljet e lumit Shkumbin nga prurjet e mëdha të ujit është këputur kavoja që mbante pritësin e mbetjeve plastike . Momentalisht nga prilli i vitit 2019 nuk funksionon.
Bashkia thotë se ndërtimi i impiantit të pastrimit të grykëderdhjes së lumit Shkumbin dhe rikualifikimit të vijës bregdetare Vilë-Boshtovë Rrogozhinë ka qenë 129. 921. 030 lekë. Nga kjo shumë pastrimi i vijës bregdetare ka qenë në shumën 46.816.000 lekë, ndërsa pjesa tjetër e vlerës së investimit ka qenë vlera e impiantit . Për një vit ky impiant ka qenë në funksion në varësi të firmës që ka bërë investimin. Në vitin 2018 e ka marrë në administrim bashkia dhe ka funksionuar deri në prill të 2019. Në muajin qershor- korrik të po atij viti , është vjedhur ambienti me të gjithë strukturën e tij si edhe rrethimi i ambientit nga persona të cilët janë në proces gjykimi.
Bashkia saktëson se momentalisht impianti është jashtë funksionit, duke shtuar se “ne si bashki nuk kemi mundësi financimi për ta rivënë në punë këtë impiant”.
Pyetjes se, në grykëderdhjen e lumit Shkumbin ka mbetje spitalore, bashkia thotë se e pastrojnë disa herë gjatë sezonit veror. Por, ngrenë supet, pasi “lumi Shkumbin në tërë rrjedhën e tij përfshin një zonë shumë të madhe që kalon në territoret e shumë njësive vendore të qarkut : Elbasan, Korçë, Peshkopi, Tiranë, Fier, dhe prurjet e mbeturinave janë shumë shqetësuese për vijën bregdetare : Vilë-Bashtovë- Greth-Spille si dhe vijën bregdetare Divjakë.
Në shesh grumbullimin e impiantit duken vetëm një sasi e vogël e mbetjeve plastike që janë mbledhur , të cilat shqiptarëve u kanë kushtuar 1 milion euro.