Ish-kryeprokurori i EULEX: Aktakuzat për liderët të UÇK-së e kanë pikënisjen nga shqiptarët e Kosovës, Basha s’ka lidhje me hetimin e trafikimit të organeve

Ish-kryeprokurori i EULEX John Clint Williamson, i cili ka qenë në krye të hetimeve për krime lufte ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, është shprehur se aktakuzat e Gjykatës Speciale nuk kanë për qëllim njësimin e viktimës me agresorët gjatë luftës në Kosovë.
Sipas tij, këto aktakuza e kanë pikënisjen nga shqiptarët e Kosovës.
Gazetarja Pelushaj: A janë këto aktakuza të ngritura kundër ish-liderëve të UÇK-së të propaganduara nga Serbia?
John Clint Williamson: Jo, këto akuza e kanë pikënisjen nga shqiptarë të Kosovës. Ata na e sollën këtë informacion. Këta kanë besuar se krimet kanë ndodhur, i kanë parë se çfarë ka ndodhur dhe menduan se gjëja më e mirë për të bërë ishte t’ua bënin të ditur edhe të tjerëve për kryerjen e këtyre krimeve. Gjëra të tjera janë raportuar në vitin 1999 nga organizata të të drejtave të njeriut si Human Rights Watch dhe Amnisty Internacional që kanë qenë të pranishëm me njerëz në terren dhe kanë folur me dëshmitarë në atë kohë. Pra ka pasur një dokumentim të plotë që ndodhi gjatë asaj periudhe. Në lidhje me dëshmitarët në Serbi, zyra e prokurorit serb, e ndihmoi zyrën time me logjistikën për të intervistuar dëshmitarët ashtu siç ne veprojmë edhe me qeveritë e tjera, sa herë që shkon në një vend të tretë. Ne nuk kishim autoritet të vepronim pa njoftuar më parë qeverinë. E njëjta gjë vlen për Shqipërinë, Kosovën që veprohej nëpërmjet EULEX-it, dhe padyshim në Serbi apo në Gjermani, në Francë, kudo. Duhet vepruar nëpërmjet autoriteteve qeveritare. Ndaj ne punuam me zyrtarët serbë në lidhje me përgatitjen e logjistikës. Na ndihmuan për të lokalizuar dëshmitarë të cilët ne i kishim identifikuar. Por ata nuk ka kanë dhënë neve prova apo çdo provë që ata mund të jepnin ne padyshim do ta kishim verifikuar në të njëjtin nivel hetimi sikur ta kishim gjetur vetë. Nuk ka ndodhur që ata na kanë dhënë informacione dhe ne thjesht i kemi pranuar pa e verifikuar dhe analizuar. Kjo nuk është mënyra se si ne punojmë.
Nga ana tjetër, kryetari i PD-së, Lulzim Basha është përfshirë nga një valë akuzash nga kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca.
Por sipas ish-kryeprokurorit të EULEX, John Clint Williamson akuzat ndaj liderit të opozitës në Shqipëri Lulzim si i përfshirë në hetimin e trafikimit të organeve, janë kategorikisht të pavërteta.
Gazetarja Besmira Pelushaj: Zoti Williamson këtu në Shqipëri ka disa debate, pasi kryeministri Edi Rama akuzon Lulzim Bashën për këtë çështje. Mendoni se janë akuza politike për liderin e opozitës?
John Clint Williamson: Po. Unë nuk dua të hyj në çështje të brendshme politike në Shqipëri ama sugjerimet se z. Lulzim Basha është i përfshirë në hetimin e trafikimit të organeve janë kategorikisht të pa vërteta. Kjo natyrisht është për kohë të ndryshme. Por në kohën që unë isha drejtues i gjyqësorit në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë në 2002, Lulzim Basha punonte në zyrën time si ndihmës i posaçëm dhe oficer ligjor. Kur ato akuza mu sollën nga një gazetar amerikan gjatë asaj kohe, ne zhvilluam një hetim paraprak, por nuk përparuam shumë në ketë çështje, pasi në atë kohë shumica e atyre akuzave ishin të bazuara në ngjarje që supozohej se kishin ndodhur në Shqipëri dhe ne nuk kishim autoritetin për të zhvilluar hetime aty.
Për këtë gjë fola me kreun e misionit të OKB-së Michael Shiner dhe ai më autorizoi që t’ia kaloja informacionin Karla del Pontes, kryeprokurores së krimeve të rënda për ish-Jugosllavinë. Pra ata e morën çështjen. Por gjatë kohës që ne në UNMIK po kryenim verifikime, e përjashtova qëllimisht Lulzim Bashën që të përfshihej në hetim. Sepse, siç e thashë ai ishte një ndihmës ligjor pranë meje dhe nuk ishte prokuror.