KOKOSHA DHE KODOSHA !
Nga Edi Oga për Newsbomb.al

“Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë!”
Kjo shprehje duhet të jetë e lashtë sa pushteti.
Qëllimi i pushtetit, është që një pakicë njerëzish të dominojnë dhe të shfrytëzojnë shumicën!
Pushteti përdor dy armë, fjalën dhe dajakun!
Dajaku nuk ka nevojë për shumë fjalë dhe përdoret fuqishëm në diktatura.
Fjala përdoret në “demokraci” dhe ka për qëllim që t’u kujtojnë njerëzve dajakun.
Me raste edhe në “demokraci”, kur fjalën e përdor i shtypuri, vlon dajaku!
Mbani maska, na thotë pushteti, se do të gjobiteni!
(Gjoba është dajaku modern! Nga gjoba nuk të dhemb trupi, të dhemb shpirti, se ai e di me sa mund i ke fituar ato të shkreta, që pushteti ti merr me një laps të shtrembër mbi një letër të hollë)
Mos u grumbulloni më tepër se 10 veta në një vend, se do të gjobiteni!
Nëse kundërshton gjobën, do të arrestohesh dhe do përfundosh në qeli.
Ky është rasti kur fjalën nga dajaku e ndan një qime!
Qytetarët e shkretë binden! Disa besojnë se kjo bëhet për t’i mbrojtur nga pandemia, disa të tjerë thjesht nuk duan gjoba dhe dajak!
Por si kudo, si gjithmonë, dalin në skenë kodoshët!
Janë pikërisht ata që na thonë të vëmë maska, të mbajmë distancë e të mos mblidhemi në festa e vakira famijare!
Nga na tjetër, për veten e tyre, a thua se jetojnë në një planet tjetër, nuk “e rruajnë” dhe zhgërryten si derrat në llucë në festat e tyre vanitoze, në dreka e darka ku për një vakt bukë të ftuarit këndojnë këngë me emrin e tyre, në promovime pemësh me drita e me xhingla në të vetmin shesh ku nuk kanë ndërtuar akoma pallate!
Jo vetëm kaq, por e xhirojnë me regji dhe sigurohen që ta shohin të gjithë! Si për të na thënë: “Shikoni o dele, shikoni me sytë mbi maska, mbani distancë dhe mos u grumbulloni!”
Ata i thyejnë rregullat se kjo i bën të ndjehen të pushtetshëm, të ndjehen të ndryshëm, të ndjehen mbinjerëz. Kokoshat dhe kodoshat e trashin karshillëkun kur thonë se gjobat do t’i paguajnë me qejf, se qejfi i tyre nuk ka të paguar! Ata mund t’i paguajnë gjobat, se nuk janë pabuksa! Kanë “punuar” për një ditë të tillë!
Ata nuk kanë frikë nga virusi, sepse mendojnë se janë të shëndetshëm po aq sa janë arrogantë në vanitetin dhe idiotësinë e tyre. Edhe kur i zë frika, kujtojnë se kanë para dhe mund të marrin një çarter që i dërgon drejt shërimit!
Masat mbrojtëse kanë kuptim vetëm kur zbatohen njëkohësisht, nga të gjithë, për një kohë të caktuar! Nëse disa kokosha dhe kodosha nuk i zbatojnë, epidemia nuk shuhet! Kodoshat dhe kokoshat do ta qarkullojnë virusin midis tyre dhe do t’ua kalojnë edhe atyre që nga frika binden!
Ajo që të bën për të vjellë, ajo që të irriton deri në rebelim, është se kodoshët dhe kokoshët janë pikërisht ata që na detyrojnë të sakrifikojmë, ndërkohë që ata pallohen në qejfe!
“Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë!”
Edhe sa thellë? Edhe sa kohë?