Komision hetimor për raportin e Dick Marty? Meta reagon për PS edhe për qëndrimet e Vuçiç: Turpi më i madh që bën ‘kali i Trojës’

Presidenti Ilir Meta e cilësoi sot një turp të madh kërkesën e mazhorancës për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Hetimor për raportin e Dick Marty, për krime lufte.

“Komisioni për akuzat e Dick Marty është turpi më i madh që bën ‘kali i Trojës’ se dihet kush i fabrikoi ato, se kush i mbështeti dhe sponsorizoi. Me këtë kërkohet të hiqet vëmendjen nga ata e të futet përçarjen mes shqiptarëve”,- tha Meta.

Bëhet fjalë për raportin që ka bashkëshoqëruar rezolutën e Asamblesë Parlamentar të Këshillit të Europës me iniciues apo hartues Dick Marty ku delegacioni shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ka qenë i ndarë në pozicionet e veta. Përfaqësuesi i opozites së asaj kohe (PS), siç sqaroi Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka votuar kundër saj, ndaj edhe do rivlerësohet gjithçka.

“Kuvendi i Shqipërisë në fund të këtij procesi, pasi ta kemi kolauduar të gjithë procesin juridik, të shprehet dhe më pas i takon Këshillit të Europës, Asamblesë Parlamentare të Këshillit që në vijim të atij raporti dhe asaj rezolute të rivlerësojë vlerësimet e veta që lidhen me Shqipërinë”, tha ai.

Presidenti Ilir Meta komentoi deklaratën e bujshme të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili foli për një konflikt të mundshëm me Kosovën.

Në një përgjigje të shkurtër, Kreu i Shtetit tha se të gjithë duhet të mësohen të jetojnë me Kosovën si shtet i pavarur, qoftë në Serbi apo vendet e tjera, qoftë në Shqipëri, për ata, që sipas tij, nuk e kanë ende të qartë këtë gjë.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka dhënë përgjigjen prej kohësh, çdo pretendimi të ngritur nga ata që ju ka ngelur ora para 20 vitesh. Të gjithë duhet të mësohen të jetojnë me Kosovën si shtet i pavarur, jo vetëm në Serbi e vende të tjera, por edhe në Shqipëri, për ata që nuk e kanë të qartë”, tha Meta.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT