Kthimi i ligjit /Balla reagon ashpër ndaj Metës: Takohet me shefa policie që i quante të kanabizuar!

Mazhoranca ka reaguar ashpër për kthimin e ligjin për policinë nga Presidenti Ilir Meta dhe e akuzon këtë të fundit që takohet me oficerë që i ka akuzuar dikur.
Ka qenë numri dy i Ps-së, taulant Balla, i cili në një postim të tij i është përgjigjur flakë për flakë Metës. “Presidenti kthen ditën ligjin për Policinë e Shtetit, ndërsa Ilir Meta takohet natën me ish-shefa policie që i quante të kanabizuar! Ndërsa mes ditës dhe natës, shkel ligjin për festa kolektive duke u treguar shqiptarëve se sa serioz është kur flet për Kushtetutë e për ligj”, shkruan Balla.
Presidenti Ilir Meta ka rikthyer për shqyrtim në Kuvend ndryshimet në ligjin “Për Policinë e Shtetit, të ndryshuar”, të cilat u miratuan si pjesë e marrëveshjes së 5 qershorit, ku u dha konsensusi edhe nga demokratët jashtë parlamentit.
Sipas kreut të shtetit ligji krijon hapësira për të gjurmuar dhe mbikëqyrur çdokënd përgjatë procesit zgjedhor.
“Policia e Shtetit mund të keqpërdoret për të survejuar kundërshtarët politik të forcës qeverisëse dhe intimiduar qytetarët apo mbështetësit e tyre”, thuhet në arsyetimin prej 15 faqesh të dekretit të Presidentit./GazetaShqip