Manastirliu: Kemi gati 1600 shtretër, skenarët për përballimin e epidemisë

“Situata është sfiduese, por jemi përgatitur sipas skenarëve të paracaktuar, me 1600 shtretër duke përfshirë edhe spitalet rajonale për përballimin e situatës”, deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë një komunikimi me gazetarët në Kryeministri.
Manastirliu theksoi se testimet janë rritur me 4 herë dhe gjithashtu po punohet për aksesimin e testeve të shpejta të antigenit me qëllim zgjerimin e kapaciteteve aktuale të testimit.
“Po punojmë dhe jemi në procedurë prokurimi për futjen e testeve të shpejta antigene për të rritur aksesina aktual të testimit dhe gjurmimit”, tha Manastirliu
Ministrja e Shëndetësisë tha se është parapaguar për blerjen e vaksinës Covid nëpërmjet instrumentit COVAX të aleancës Gavi dhe vendi ynë do ta ketë sapo ajo të jetë e disponueshme.
“Nëpërmjet instrumentit Covax kemi parapaguar 3,9 milion euro për të siguruar vaksinën Covid duke porositur 1 milion e 140 mijë doza”, tha Manastirliu.
Ministrja deklaroi se për vitin 2020 në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale janë alokuar 25 milionë euro fonde shtesë dhe 5 milion euro grante të cilat janë përdorur për përballimin e epidemisë së Covid 19.
Mbështetja për strategjinë e përballjes me Covid19, ka mbështetur është fokusuar në: Mbrojtjen dhe mbështetjen financiare të personelit mjekësor, shpërblimet e bonusit prej 1000 euro dhe 500 euro për stafet në vijën e parë të luftës anti COVID ku kanë përfituar 550 mjekë, 1.130 infermierë, 134 epidemiologë dhe 754 staf mbështetës, duke financuar 7 milion euro për ketë vit e kjo mbështetje do të vazhdojë, sigurimin e mjeteve të mbrojtjes personale për stafet mjekësore. Investimet në rritjen e kapacitetit të sistemit shëndetësor, një flotë e re prej 36 autoambulancash të reja do të shtohet Urgjencës Kombëtare për të siguruar shërbime më të shpejta dhe shërbime në banesë për rastet e trajtimit të qytetarëve me covid. Rritëm dhe po forcojmë kapacitet spitalore me pajisje mjekësore për fuqizimin e spitaleve Covid dhe spitaleve rajonale, siguruam terapit e mjekimit me medikamentet sipas protokolleve të shërbimeve spitalore të njëjta me vendet e tjera pa asnjë mungesë”, tha Manastirliu.