Meta e Kryemadhi pa maskë, Rama: Të merren masa! Presidenti predikon katastrofë, Luli shpreson te përhapja sa më e madhe e Covid

Kryeministri Edi Rama thotë se si për qytetarët, edhe për politikanët që shfaqen pa maska në ambiente publike duhet të merren masa.
Gjatë konferencës me gazetarët, Rama thumboi kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, për mohimin e ekzistencës së virusit, ndërsa tha se kreu i PD-së Lulzim Basha shpreson që Covid “të bëjë atë që s’po bën opozita”.
“Natyrisht që duhet të merren masa, por janë institucionet që marrin masa. Është skandaloze, domethënë jam pa fjalë. Një president republike që predikon katastrofën. Një kryetar opozite që i ka varur shpresat te përhapja sa më shumë e Covidit. Dhe pret që Covid të bëjë atë që ai nuk bën dot. Një tjetër që është në mes të presidentit dhe kryetarit të opozitës si aleate thotë shkoni në kisha e xhamia. Thotë hajdeni me LSI që të mos keni nevojë të prisni për vaksinën. Gjëra që i përkasin një niveli që është një qamet i madh.
Është qeveria e çiftit presidencial dhe Luli është thjesht dhëndrri. Një dhëndërr që e nxjerrin përpara këta të tjerët dhe thonë merreni se është goxha djalë. Por në fund do e hanë ata të tre. Ça të them unë, qamet i madh është të marrësh pyetje të tilla dhe të japësh përgjigje të tilla, por taksirati tonë të flasim për këta njerëz të dalë nga binarët”, tha Rama.