Meta fushatë nga presidenca: 25 prilli do të jetë referendum për të rrëzuar sistemin oligarkik

Në konferencën e sotme për shtyp presidenti Ilir Meta u shpreh se kishte reflektuar në lidhje me vërjetjen që iu bë dhe kishte vendosur të mbante maskën. Ndërsa ftoi edhe mazhorancën që të bëjë të njëjtën gjë, duke mos votuar sipas tij, ligje që janë në shërbim të oligarkëve.
Ai përmendi rastin e ligjit për Metrologjinë, duke kërkuar edhe hetimin e SPAK, për këtë nismë që sipas tij fshihen afera korruptive. Pyetjes së çfarë do të bënte kreu i shtetit si kundërpërgjigje ndaj mazhorancës ndaj ligjit të ri organik, nëse do ta shpërndante Parlamentin, Meta iu përgjigj se “përgjigjen më të mira Rama do ta marrë me 25 prill”.
“Tani Kushtetuta është vija e kuqe. Populli i 2 marsit është aty gati vetëm se është shumëfishuar, si dhe është shtuar këto kohë. 25 prilli do të jetë një referendum mbarëkombëtar për të rrëzuar këtë sistem oligarkik që kërkon t’i kthejë qytetarët në një qenie të pavlerë, të pafuqishëm dhe të pambrojtur vetëm e vetëm të fryhen si shushunja disa persona. Mbi Kushtetutën vetëm populli”, deklaroi Meta.
Presidenti gjithashtu nuk zbuloi cilat do të jetë hapi, nëse do t’i drejtohet Venecias ose jo.
Ai shtoi se qeveria “s’mund të ketë prioritet ato oligarkët që edhe kur ata vetë janë në vështirësi ikin e kurohen në Turqi”./Gazeta Shqip