Meta rrëzon ligjin për Policinë: E kthen në një organ jashtë kontrollit të gjykatës dhe në survejues politik

Presidenti Ilir Meta, pasi ka sulmuar një natë më parë policinë, sot ka marrë hap e letër për ta bërë akt atë qëndrim që shpalli publikisht. Kreu i shtetit, ka refuzuar të dekretojë dhe ka rikthyer në Kuvend ndryshimet që mazhoranca i ka bërë ligjit të Policisë së Shtetit.

Presidenti i Republikës ka vendosur “Kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, të ndryshuar”, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti, theksohet në shkresën që mban firmën e Ilir Metës.

Ndërkaq, në shpjegimin e dekretit, Ilir Meta akuzon mazhorancën që i kanë dhënë policisë kompetenca që cënojnë ndarjen e pushteteve dhe e kthen vendin në një shtet policor.

“Policia e Shtetit mund të keqpërdoret për të survejuar kundërshtarët politik të forcës qeverisëse dhe intimiduar qytetarët apo mbështetësit e tyre”, thuhet në arsyetimin prej 15 faqesh të dekretit të Presidentit.

Ja katër arsyet e Ilir Metës që e kanë bindur për të kthyer ligjin dhe opinioni i tij për draftin e miratuar në Kuvend: Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke cenuar pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara ngë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, që lidhen me grancitë për ruajtjen e privatësisë; Rrezikon ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve të drejtësisë, dhe ta vërë nën presionin qeveritar gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor, nën urdhrat e vullnetit politik, duke cenuar edhe pavarësinë operacionale të saj; Shkakton trajtim të pabarabartë dhe pasiguri për vendin e punës, për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke sanksionuar lëvizjen e tyre në pozicione të tjera, edhe pa miratim paraprak, me pasojë humbjen e përftimeve që kanë prej statusit të veçantë për shkak të detyrës”.

Në sqarimin e këtyre katër argumenteve , stafi i presidencës ka shkruar një dokument me 15 faqe ku në mënyrë të detajuar jep argumentet e veta se pse Policia e Shtetit kthehet “në një organ informativo- gjurmues, jashë kontrollit procedural të gjykatës, në kundërshtim me misionin dhe funksionin që duhet të ketë Policia e Shtetit, dhe në shkelje të të drejtave dhe lirive të qytetarëve që mund të survejohen pa asnjë lloj kufizimi”.

Disa nga argumentet e presidentit

I.          Në nenin 3 të ligjit nr. 133/2020, parashikohet të shtohet një paragraf në pikën 1, të nenit 17, të ligjit nr. 108/2014, që rendit detyrat e Policisë së Shtetit. Shtesa e parashikuar rendit edhe një detyrë të re, duke përcaktuar se:

“j) zbaton detyrat në shërbim të administrimit të qetë dhe të rregullt të proceseve zgjedhore ose të referendumeve, bashkëpunon me administratën zgjedhore dhe raporton për veprimtarinë e strukturave të policisë në zgjedhje ose në referendume, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj, në Kodin Zgjedhor dhe në aktet nënligjore të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.”.

Kjo shtesë vjen si propozim i deputetit të mazhorancës, Alket Hyseni, dhe në realitet do të krijonte një përplajse dhe paqartësi se cili do të ishte angazhimi konkret i Policisë së Shtetit gjatë zhvillimit të proceseve zgjedhore dhe cilat janë mënyrat dhe mjetet me të cilat ky organ pëmbush detyrat e tij.

Kjo paqartësi vjen për shkak se kjo dispozitë përmes këtij formulimi “sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj”, referon direkt në detyrimin për zbatim të përcaktimeve të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, përgjatë proceseve zgjedhore.

Pra Policia e Shtetit do ketë dy mënyra mënyra se si ajo të veprojë përgjatë një procesi zgjedhor: – edhe sipas ligjit të saj funksional nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, ku funksionon përmes urdhëresave të brendshme që ndjekin hierarkinë administrative brenda strukturave të Policisë së Shtetit; dhe  mënyra tjetër, sipas rregullave të Kodit Zgjedhor dhe akteve nënligjore të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Pikërisht kjo paqartësi, krijon mundësinë që Policia e Shtetit të aktivizohet në procesin zgjedhor edhe përtej kërkesës objektive të administratës zgjedhore dhe vlerësimit që ajo i bën situatës në terren.

Kjo paqartësi e veprimtarisë së Policisë së Shtetit përgjatë proceseve zgjedhore, e lidhur edhe me kompetencën tjetër shtesë që i jepet asaj përmes këtij ligji për të gjurmuar dhe mbikëqyrur çdokënd e jashtë kontrollit gjyqësor, krijon shteg që në praktikë, edhe përgjatë procesit zgjedhor, Policia e Shtetit mund të keqpërdoret për të survejuar kundërshtarët politik të forcës qeverisëse dhe intimiduar qytetarët apo mbështetësit e tyre.

Një parashikim i tillë në këtë ligj, synon të cenojë parimet bazë mbi të cilat duhet të veprojë Policia e Shtetit, si parimi i pavarësisë operacionale dhe paanshmërisë politike[1].

Kësisoj, në zbatim të këtyre parimeve, Policia e Shtetit e ka për detyrë të mbrojë jetën, shëndetin, pronën publike dhe private, të ruajë rendin dhe sigurinë publike, në përditshmërinë e saj, pavarësisht procesve që gjejnë zhvillim në jetën shoqërore e politike në vend.

Për rolin e Policisë së Shtetit në procesin zgjedhor në veçanti, u kodifikuan ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor të dakordësura nga Këshilli Politik në 30 qershor 2020.

Kjo marrëveshje e kodifikuar kaloi përmes procedurës parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë pa asnjë ndryshim, i cili në datën 23 korrik 2020, miratoi ligjin nr.101/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.

Përmes këtij ligji, në Kodin Zgjedhor, në nenin 3 që rendit “Parimet e përgjithshme”, u shtua parashikimi se: “Policia e Shtetit i ushtron detyrat e veta në shërbim të zgjedhjeve në paanshmëri të plotë ndaj subjekteve zgjedhore. Veprimtaria e saj zhvillohet sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore të miratuara nga KQZ-ja.”

Po ashtu, në Kodin Zgjedhor (rikujtojmë që është një ligj i miratuar me shumicë të cilësuar), u parashikua në nenin 79, të riformuluar se:

“[…]5. Policia Bashkiake dhe/ose Policia e Shtetit garantojnë zbatimin e përcaktimeve të bëra në këtë nen duke hequr menjëherë çdo material propagandues të subjekteve zgjedhore në vendet jashtë përcaktimeve të bëra në pikat 1 dhe 2 të këtij neni.”

Pra, për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike, në mënyrë konsensuale në  Kodin Zgjedhor, është përcaktuar roli që duhet të ketë Policia e Shtetit, e cila duhet të shërbejë në mënyrë të paanshme kundrejt kërkesave që i bëhen nga KQZ.

Ndërsa me shtesën e bërë në vetë ligjin organik të Policisë së Shtetit përmes ligjit nr. 133/2020, duke e ngarkuar posaçërisht “të zbatojë detyrat” gjatë proceseve zgjedhore edhe sipas ligjit organik, dhe mbi të gjitha pa përcaktuar kush ia cakton këto detyra, lihet hapësirë që Policia e Shtetit të vihet para detyrimit ligjor të zbatimit të detyave të urdhëruara sipas hierarkisë administrative gjatë një procesi zgjedhor, të humbasë për pasojë paanshmërinë e saj dhe të kthehet në shërbim të titullarëve të saj, apo direkt të ministrit të Brendshëm, për këtë proces kaq të rëndësishëm siç janë zgjedhjet në vend.

II. Ndryshimi i mësipërm, i bërë pikërisht me propozim të njëanshmëm prej mazhorancës qeverisëse, jashtë dakordësisë dhe konsultimit me të gjithë aktorët politikë, shoqëruar edhe me ndryshimet vijuese të bëra në ligjin nr. 133/2020, cenon rëndë paanësinë politike dhe pavarësinë operacionale të Policisë së Shtetit, si dhe i bën vulnerabël efektivët e Policisë. Kjo për arsye se:

1.   Në nenin 19, ndryshimet e bëra synojnë që struktura dhe organika e policisë në nivel qendror dhe vendor, si dhe strukturat e veçanta, të miratohen nga ministri, me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Struktura dhe organika e policisë në nivel vendor dhe i strukturave të veçanta sipas ligjit në fuqi miratohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Ky ndryshim në mënyrën e miratimit të strukturave që në thelb janë operacionale, nga ministri i Brendshëm, është një përpjekje më shumë që deformon strukturën unike dhe të centralizuar të Policisë së Shtetit, duke bërë që indirekt të kalojë varësia, veçanërisht ajo operacionale, nën mbikqyrjen dhe vullnetin e autoritetit politik të ministrit të Brendshëm.

Ky parashikim bie ndesh me vetë përcaktimet që ka ligji bazë nr. 108/2014, që në nenin 7, përcakton rolin e Ministrit në raport me Policinë e Shtetit, si autoriteti që vetëm harton dhe mbikëqyr zbatimin e politikave të veprimtarisë së Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e rendit e të sigurisë publike; apo përcakton drejtimet strategjike dhe objektivat e Policisë së Shtetit. Ndërkohë që kjo dispozitë përcakton qartë në pikën 3, se: Ministri nuk ndërhyn në pavarësinë operacionale të shërbimit të policisë dhe nuk përfshihet në drejtimin operacional të saj.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, që është me ligj autoriteti më i lartë ekzekutiv, administrativ e operacional i policisë[2], dhe ka për detyrë sipas nenit 9, pika 2, shkronja “b)”, e ligjit nr. 108/2014, të “menaxhojë burimet njerëzore”, nuk mundet të miratojë strukturën dhe organikën!

Ky ndryshim, që është dhe në mospërputhje me vetë dispozitat e ligjit nr. 108/2014, e që cenon për pasojë edhe parimin e sigurisë juridike që imponon qartësinë e dispozitave dhe rregullave të zbatueshme, synon nga ana tjetër dobësimin e rolit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe forcimin e rolit të ministrit të Brendshëm në veprimtarinë e pavarur dhe të paanshme operacionale të Policisë së Shtetit.

2.   Ndryshimi i mësipërm, shoqëruar me shtimin e nenit 45/1 në ligjin nr. 108/2014, që mundëson transferimin e punonjësit të policisë në struktura të tjera shtetërore, e bën edhe më të dobët dhe të pasigurt punonjësin e Policisë së Shtetit përballë presionit të mundshëm politik.

Kjo për arsye se, referuar pikës 3, të nenit 45/1 që shtohet, përcaktohet se punonjësi mund të transferohet kur “kjo kërkohet ose miratohet nga autoritetet zyrtare përgjegjëse, në përputhje me kriteret e parashikuara për çdo funksion.”

Lidhëza “ose” në këtë parashikim, do të thotë që në zbatimin e kësaj dispozite të re, transferimi i një punonjësi të Policisë mund të kryhet pa miratim të tij, vetëm me vendimmarrjen e zyrtarit përgjegjës.

Një parashikim i tillë, minon tërësisht garancitë që synonte t`i jepte ligji nr. 108/2014, kur u miratua, punonjësve të Policisë së Shtetit.

Akoma më i rëndë, është parashikimi i pikës 4, të kësaj dispozite, që me transferimin e punonjësit të Policisë, edhe pa miratimin e tij, ai nuk do të gëzojë më as të drejtat që i lindin nga statusi i veçantë i punonjësit të Policisë së Shtetit.

Eshtë momenti të sjellim në vëmendjen tuaj, të publikut e veçanërisht të forcave të Policisë së Shtetit, se statusi i punonjësit të Policisë së Shtetit, lidhet posaçërisht me mënyrën e trajtimit të personelit dhe përfitimeve që vetë ligji ua njeh kësaj kategorie, përfshirë, por pa u kufizuar në:

–         Kohën e punës dhe të pushimit;

–         Kujdesin për gratë shtatzëna;

–         Lejen e lindjes;

–         Lejen pa të drejtë page;

–         Trajtimin financiar gjatë qëndrimit në punë;

–         Të drejtën për sigurim shëndetësor të veçantë;

–         Të drejtën për përfitim kredie me interesa të butë;

–         Kompensimin për strehim;

–         Sigurimin e jetës;

–         Mbrojtjen e veçantë;

–         Trajtimin financiar pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës; apo

–         Vjetërsinë për trajtim financiar pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.

Të gjitha këto të drejta, një punonjës që transferohet, pa kërkesë dhe miratimin e tij, nuk mund t`i gëzojë më, duke bërë që punonjësit e Policisë së Shtetit të jenë lehtësisht të lëvizshëm nga detyra, e duke cenuar kësisoj pavarësinë dhe paanësinë e tyre në ushtrimin e detyrave funksionale.

Këto ndryshime të marra së bashku, që nga mënyra e miratimit të strukturës, deri te mundësia e transferimit, si dhe parashikimi për detyrimin e posaçëm që shtohet mbi zbatimin e urdhrave përgjatë proceseve zgjedhore, veçanërisht kur kjo ndërhyrje nuk është kërkuar dhe as vlerësuar si e nevojshme nga Këshilli Politik, përbëjnë rrezik të shtuar për keqpërdorimin e forcave të Policisë së Shtetit për qëllime politike. Veçanrisht duke i vënë nën presion për procesin zgjedhor që tashmë ka filluar.

Dhe kjo nuk është Policia që duam dhe që shtetasit e Shqipërisë meritojnë! Këto ndryshime ligjore, shoqëruar dhe me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 74/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, të ndryshuar”, i ndryshuar”, që gjithashtu është vlerësuar si një akt që rrit rrezikun e ndikimit dhe presionit të vazhduar ndaj veprimtarisë së përditshme të forcave policore, për shkak të procesit të tejzgjatur të vlerësimit kalimtar, shkakton pasiguri për personelin policor dhe ka gjithë premisat që të keqpërdoret së tepërmi në situata të veçanta, sidomos përgjatë procesit zgjedhor.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Përgjithë sa u parashtrua më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85 pika 1 të saj, kam vendosur  kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, pasi ky ligj bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me parimet e mbrojtura prej saj.

Sinqerisht,

[1] Sanksionuar në nenin 5, të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar.
[2] Neni 9, i ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT