‘Mos takoni askënd’/ Mbyllet Austria, kancelari Kurz porosit qytetarët

Austria po lëviz nga një shtetrrethim i pjesshëm gjatë natës, në një bllokim të dytë kombëtar për të paktën dy javë e gjysmë.
Kancelari Sebastian Kurz u ka kërkuar austriakëve që të mos takojnë askënd jashtë shtëpisë së tyre, në një përpjekje për të frenuar një rritje të shpejtë të rasteve të Covid, ndërsa vendi do të hyjë në një mbyllje të dytë kombëtare këtë të martë, shkruan SHQIP.
“E vërteta është që autoritetet nuk janë në gjendje të gjurmojnë 77% të rasteve të reja, çka do të thotë se ato nuk dinë më se nga vijnë infektimet,” tha ai.
Austria raportoi një numër rekord prej 9,586 infeksioneve të reja ditore të Premten.
Kjo shifër ishte nëntë herë më e lartë se në kulmin e valës fillestare këtë vit. Vendi ka regjistruar më shumë se 191,000 raste që nga fillimi i pandemisë dhe 1,661 vdekje të lidhura me Covid.
Nën masat e reja, të gjitha shërbimet jo thelbësore do të mbyllen e po kështu edhe shkollat, ku mësimi do të kryhet online. Njerëzit do të dalin nga banesat vetëm për arsye specifike. Mbyllja do të vazhdojë deri në 6 Dhjetor.
Njerëzve u është thënë të punojnë në shtëpi në rastet që është e mundur.