Ndodh në Kavajë: Vidhet në det bateria e bovës së fenerit të Kepit të Selitës

Vjedhja e baterisë së bovës së fenerit të Kepit të Selitës ka “çuditur” Shërbimin Hidrografik të Forcave Detare të Durrësit. Sipas tyre, një person i cili lundërtar s’mund të jetë, ka vjedhur baterinë në mes të detit dhe ka nxjerr jashtë funksionit sinjalistikën detare.
Shërbimi Hidrografik (SHH) i Forcës Detare Durrës është njoftuar më datë 19 nëntor 2020 për mosfunksionimin e bovës kardinale veriore në afërsi të Kepit të Selitës, dhe nga verifikimi që është bërë ne vend, është konstatuar se bateria e bovës, e cila shërben për funksionimin e sinjalistikës ndriçuese mungonte, ishte vjedhur.
Menjëherë është bërë riparimi i bovës, e cila është sërish në shërbim të lundërtarëve. Sipas Shërbimit Hidrografik, një lundërtar i vërtetë nuk do ta bënte kurrë këtë veprim që mund të cilësohet vjedhje me pasoja të rënda, të cilat mund të çojnë deri në humbjen e jetës së njerëzve dhe pronës në det.
Feneri i Selitës (gjerësi 41° 08’ 46.8’’ V, gjatësi 19° 26’ 00’’ L) ngrihet mbi një kullë plastike të bardhë me lartësi 4 m, lartësia e dritës nga niveli i detit është 71 m, ndërsa largësia nominale e shikimit nga deti është 11 milje.
Info nga “Udhëzuesi i lundrimit detar”
Kepi i Selitës (i Lagjit) (gjerësi 41° 09’,5V., gjatësi 19° 26’,3 L) është kepi jugor i hyrjes së gjirit të Durrësit. Ai formohet nga shpati veriperëndimor i vargut të kodrave bregdetare të veshura me pyll. Maja më e lartë e këtij vargu kodrash është ajo e Bixherit me lartësi 223 m, që ndodhet 3,2 milje në juglindje të kepit. Kepi dhe kodrat janë të veshura me gjelbërim të përhershëm, kryesisht me dafina.
Kepi i Selitës është i rrethuar me shkëmbinj të nënujshëm, si dhe të mbiujshëm, që fillojnë nga kepat e vegjël të Larëzës së Madhe e të Vogël përkatësisht 0,4 milje dhe 0,8 milje në jug. Afrimi i anijeve te bregu i këtij kepi është i rrezikshëm.
Aty mund të afrohen në kohë të qetë vetëm anije të vogla me peshkim deri në 1,2 m në grykën e vogël në jug të kepit. Gjatë hyrjes e daljes nga kjo grykë duhet bërë kujdes për gurët e nënujshëm, që dalin nga kepat e hyrjes dhe që ngushtojnë hyrjen në të. Tabani i fundit të detit në afërsi të Kepit të Selitës është llum dhe në shumë vende shkëmbor. Në veri, 05 milje nga kepi ndodhet një gur që del mbi ujë 0,4 m. Thellësitë në veri të tij janë 6 m, ndërsa në jug 1m.