“Nuk i pranoj akuzat”, Krasniqi përlotur dhe i emocionuar: M’i lidhët duart dhe më kontrolluat si të jem kriminel, unë jam intelektual

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi ka thënë në Gjykatën Speciale se po trajtohet si kriminel, duke i cilësuar padrejtësi të madhe akuzat ndaj tij.
Krasniqi ka thënë se është arsimuar që të jetë mësues, por është detyruar të luftojë kundër Serbisë. Ai tha se ndaj njerëzve ka pasur gjithmonë qëndrim njerëzor, raporton Gazeta Express.
“Unë po i kuptoj ata njerëz dhe këta që janë këtu se si sillen me mua. Mendojnë që edhe unë jam përnjëmend kriminel. Jo, unë jam intelektual, jam arsimuar për me qenë mësues, por jam detyruar të luftojë kundër Serbisë. Ama ndaj njerëzve gjithmonë kam pasë qëndrim njerësor. Unë as kaq të padrejtë sa më kanë bë prej burgut deri këtu, duke m’i lidhë duart, duke më kontrolluar dhjetëra herë…Keni procedura që mund të jenë të përshtatshme për kriminelë, por jo për mua”, ka thënë Krasniqi.
Ish-kryeparlamentari ka treguar se ka dëshmuar dy herë në Tribunalin e Hagës për krimet në ish-Jugosllavi, ndërsa tha se do të dënohej po të kishte diçka inkriminuese.
“Ju e dini që në ish-Jugosllavi ka pasë një Tribunal. Unë dy herë kam qenë dëshmitar në Tribunalin e Hagës dhe po të kishte një fakt të inkriminuar, Tribunali i Hagës do të më dënonte. Unë e shoh këtë si përpjekje të fundit. Akademia e shkencave e Serbisë e ka bë këtë përpjekje dhe ia arriti qëllimin. Nuk ka njeri që s’e di kush ka bë krime në Kosovë. Dhe kjo më dhemb, më dhemb shumë sepse është padrejtësi e madhe”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai në prezantimin e tij të parë dha një deklaratë emocionale ku i përlotur e mbrojti luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pjesë nga fjalimi i tij:
Në aktakuzë po na quani ndërmarrje kriminale të përbashkët, unë deklaroj sot se kurrë në jetë në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit sikur më trajtuat ju nga arrestimi deri këtu.
Jam intelektual, jam njeri që politikisht e kam luftuar Serbinë. Kurrë nuk e kam drejtuar gishtin nga civilët. Ju po përpiqeni të na ndani në mysliman e katolik, unë jam shqiptar. Cilësimi i prokurorit se ne qenkemi ndërmarrje kriminale e përbashkët, për mua dhe shokët e mi që luftuam gjatë për kombin tonë, nuk ka asgjë më fyese.
Jetë e vdekje jemi vu në shërbim të çlirimit. Ia kemi arritur që bashkë me SHBA-në, me BE-në të jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese, ndërsa ndërmarrje e përbashkët kriminale, janë jo vetëm serbët, por është këmbë e krye vetëm koka e saj në Beograd.
Besoj. madje besoj shumë që këtë e di secili qytetar i arsimuar që së bashku është mbi 30 vjeç e që jeton në vendet e demokracisë, aty ku janë rritur e edukuar me vlerat e kësaj bote, që veçohen me vlerat që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e njeriut. Kam qenë i dënuar nga regjimet e Serbisë në vitet ‘81. Ata me kanë dënuar që kam lexuar libra. Më shumë të drejtë kanë pas ata atëherë se sa ju sot këtu.