Pacienti me Covid u hodh nga kati i dytë, policia rrethon spitalin Infektiv (FOTO)

Një 69-vjeçar me iniciale R.B. është hedhur nga lartësia në spitalin Infektiv rreth orës 12:30 të mesditës së sotme. Policia njofton se ai ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Nga pamjet e siguruara shihet se spitali infektiv është rrethuar nga forca të shumta policie, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së rëndë.
Kujtojmë se pak kohë më parë tre pacientë me koronavirus i kanë dhanë fund jetës në spitalet COVID, ndërsa u hodhën nga lartësia.
Rasti i parë është regjistruar më 13 gusht, ku 29-vjeçari Xhino Koça nga Durrësi u hodh nga kati i tretë i “Shefqet Ndroqit” në gjendje të rënduar psikologjike, ku për pasojë ndërroi jetë.
Ndërsa, në 2 shtator Hasan Mira, 65 vjeç i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt i COVID 2 vetëm dy ditë pasi ishte shtruar aty. Ndërkohë rasti i tretë u regjistrua në 1 nëntor sërish tek Sanatoriumi.