Pakti detar/ Dendias e quan të kryer: Zgjerohemi me 12 milje në Jon, ky argument vlen dhe për Turqinë

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias e cilëson si fakt të kryer shtirjen me 12 milje në detin Jon dhe se për këtë përplasje, mes Athinës dhe Tiranës zyrtare është rënë dakord që të shkohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
Këtë qëndrim kryediplomati grek Nikos Dendias e bëri gjatë një interviste për Prothema. “Më lejoni të theksoj gjithashtu se referenca do të bëhet pas shtrirjes së ujërave territoriale të vendit tonë në Detin Jon në 12 milje detare. E gjithë kjo bëhet në marrëveshje të plotë me palën shqiptare, e cila meriton njohje për respektimin e ligjit ndërkombëtar”, deklaroi Dendias.
Më tej ai shprehet se kjo mënyrë e operimit duhet të shërbejë edhe si një sinjal për Turqinë, shtet për të cilin ka një konflikt pas marrëevshjes së delimitimit të arritur me Egjiptin.
“Ne kemi rënë dakord me Shqipërinë për të paraqitur së bashku çështjen e caktimit të zonave detare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për të zgjidhur, në bazë të Konventës së KB për Ligjin e Detit, një çështje të kahershme. Kjo marrëveshje është me përkufizim një sukses i përbashkët shumë i rëndësishëm, duke qenë se vendi ynë dhe Shqipëria mbështesin që mosmarrëveshjet dypalëshe të zgjidhen vetëm në bazë të ligjit ndërkombëtar dhe përmes dialogut. Nëse dialogu nuk na çon në një marrëveshje, atëherë mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes arbitrazhit ndërkombëtar. Greqia ka arritur të përfundojë dy marrëveshje për demarkacionin detar brenda një viti, së pari me Italinë dhe pastaj me Egjiptin. Në rastin e Shqipërisë, marrëveshja për referimin e mosmarrëveshjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e kjo është hera e parë që Greqia dhe një vend fqinj bien dakord për këtë proces, përcakton një precedent shumë të rëndësishëm për rajonin e gjerë dhe dërgon një mesazh të qartë në Turqi”, thekson Dendias
Pyetjes së gazetarit se nëse Greqia po planifikon zgjerimin e pjesshëm të zonës bregdetare greke në 12 milje detare në zonën detare në jug të Kretës dhe kur, Dendias shprehet se e gëzojnë atë si një të drejtë të patjetërsueshme.
“Greqia rezervon të drejtën e patjetërsueshme për të zgjatur në mënyrë të njëanshme ujërat e saj territoriale nga 6 në 12 milje detare sipas Konventës OHE mbi Ligjin e Detit. Tashmë është vendosur që të zgjerohet në Detin Jon dhe Ministria e Punëve të Jashtme po punon për hapat e ardhshëm përkatës. Është e qartë se e drejta jonë ekskluzive e njëjtë si një shtet bregdetar ekziston për pjesën tjetër të vendit dhe do të ushtrohet sa herë që gjykohet e përshtatshme bazuar në planifikimin e tij të përgjithshëm strategjik”, shprehet Dendias./Gazeta Shqip