Përçahet LSI, Koka i bashkohet Ramës/ Lëvizjet e tij brenda të majtës PS-LSI dhe mbështetja që ka në Durrës

Tashmë është zyrtare, deputeti i LSI-së, Lefter Koka do t’i ribashkohet Partisë Socialiste. Koka ka qenë një nga njerëzit që edhe më parë ishte i zgjedhur nga PS, duke qenë një person me peshë të madhe politike në qarkun e Durrësit.

Koka, vjen nga një karrierë e gjatë politike. Ai ka qenë kryetar i bashkisë së Durrësit (2003 – 2007) duke përfaqësuar Partinë Socialiste në qarkun e dytë më të madh në vend. Pas lënies së Bashkisë, Koka vendosi që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, t’i bashkohej një tjetër partie, asaj të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të drejtuar nga Ilir Meta. Në ato zgjedhje Koka përfaqësoi votuesit e Qarkut Durrës ku kishte një mbështetje relativisht të madhe për shkak edhe të influencës së familjes së tij.

Pas disa vitesh nën siglën e LSI, ku shërbeu dhe si ministër Mjedisi gjatë koalicionit qeverisës PS-LSI, Koka nuk pranoi që të dorëzonte mandatin e deputetit një vit më parë duke dalë kundër kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhit.

Pavarësisht se ka qenë një ndër njerëzit më me ndikim në partinë e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, Koka shpesh është shprehur se ndihet i tradhëtuar nga lidershipi i LSI-së.

“Nuk kam motiv për të djegur mandatin”, deklaroi Koka në atë kohë, ndërsa konfirmoi se do vazhdojë të jetë deputet i LSI.

Djegia e mandateve hapi një lojë të fortë mes palëve politike në atë kohë duke krijuar një klimë të re, të pazakontë, që parashikonte shumë skenarë, rreth asaj që pritej të ndodhë.

Ndërkohë këtë vit, deputeti Lefter Koka, në një emision televiziv deklaroi se lidhjet e tij me Partinë Socialiste kanë qenë të hershme. Ai u shpreh se me PS ka një histori, ka lidhje familjare e miqësore me këtë forcë politike.

“Unë sot nuk përfaqësoj asnjë grupim politik. Sigurisht kam një histori me PS, kam përfaqësuar atë që më 2000 në Këshillin Bashkiak. Lidhjet e mia familjare, shoqërore e sentimentale kanë qenë me këtë forcë politike. Nuk e kam kuptuar asnjëherë Sali Berishën që më etiketonte, vetëm të sulmonte dhe të fyente”, tha Koka në qershor të këtij viti.

Koka ishte ministër i Mjedisit në qeverinë “Rama I” dhe për këtë kryeministri e vlerësoi gjatë ditës së sotme në takimin e Durrësit, e kjo sa i përket vendimit për impiantet dhe për heqjen e e pastrimin e Durrësit nga mbetjet e Porto Romanos.

“Me Lefterin kemi punuar bashkarisht për këto projekte kur ishim në aleancë. Opozita po degradon thellë e më thellë. Monika dhe Iliri e kanë kthyer Durrësin në një stacion hakmarrjeje imagjinare. Ata që votojnë për PD-në do të kenë Monikën dhe Ilirin peshqesh. Atyre u duhet shpjeguar pse duhet ta refuzojnë këtë ofertë katastrofike për vetë PD-në”, theksoi Rama.

Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT