Përse e bëri Basha deklaratën makabre e përse shkoi edhe më tej se aq, duke sjellë pamjet nga morgu. Pse pikërisht këto ditë?

ANALIZA

Bedri Islami

Cilido nga ekipi i tij i afërt, i cili e ka këshilluar Bashën që në mbrëmjen e së enjtes së shkuar, kur do të duhej të mbyllte përmes saktësisë së përgjigjeve një valë dyshuese ndaj aktivitetit të tij në Kosovë dhe të hapte një derë tjetër, ai këshilltar apo ekip pranë tij ka dy gjëra: ose nuk e di ardhjen e Bashës në qeveri dhe mezi pret që të mbulojë me gjethe një sërë akuzash, të cilat nuk mund të fshihen pas thirrjeve “gënjen”, ose nuk e di se në politikë çdo gjë, edhe fjala, sidomos fjala, ka momentin e saj, vendin ku duhet thënë, kohën dhe njerëzit që duhet të kesh përreth.

Basha, pas një pyetje të porositur, e cila vetëm se shtoi dyshimet për një të shkuar jo të largët që u bë aktuale, hodhi tymnajën e tij për të vdekurit që nuk janë regjistruar, duke tundur një letër me shifra, si të ishte fjala për kokrra arrash dhe gogla për dushk e jo për jetë njerëzore dhe alarmin e panikun që mund të ngjallë një aferë e tillë.

Pavarësisht tronditjes së parë, gjë e natyrshme që sjellin shifrat e vdekjeve dhe “mbrojtjes” së analistëve të tejmbushur me urrejtjen patologjike ndaj Edi Ramës, i cili edhe pse nuk mund të shkëlqejë në një luftë kundër një pandemie globale, është aty ku janë edhe kolegët e tij në të gjithë botën, shumë shpejt do të vijë çasti, në mos ka ardhur marramendshëm shpejt, që të bëhet pyetja: përse e hodhi këtë tymnajë Basha e cila ngjalli panik vetëm në disa çaste; çfarë fshihet pas këtij reagimi të njeriut që synon të jetë shefi i qeverisë së një vendi në lëvizje të vazhdueshme, të cilin – këtë atdhe të përbashkët- 30 vitet e jetës plurale e kanë shkundur deri në themel pikërisht tek besimi ndaj liderëve dhe ndaj shtetit?

Nga deklarata e para pak ditëve Basha dhe të tijtë kanë filluar të bëjnë reagimin e tyre në atë që hodhi befas: të ndajë mjekët nga qeveria, gjë që nuk e bëri në fillim dhe nuk e ka bërë asnjëherë në çastet e shpërthimeve të tij politike, që, sa janë adoleshente, aq janë edhe të verbëra.

Pse e bëri Basha deklaratën makabre e përse shkoi edhe më tej se aq, duke sjellë në mediat sociale pamjet nga morgu, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë: Përse pikërisht këto ditë, kur vëmendja e të gjithëve ishte përqëndruar diku tjetër, në një dhjetë ditësh akuzash rreth rolit të tij ndërlidhur me trupën drejtuese të UÇK-së?

Ka disa faktorë:

1.Basha duhej të hiqte vëmendjen nga akuzat e sjella nga Kosova dhe të amplifikuara në Tiranë. Mëdyshja e tij për të qenë i saktë dhe i hapur në sqarimin e disa rrethanave dhe kohës që ka qenë i punësuar në Kosovë, heshtja e shumë ditëve, hezitimi për të qenë në kohën e duhur dhe me saktësinë e duhur në ballafaqimin politik, nuk është shuar pas spostimit të përkohshëm të vëmendjes.

Njerëzit në këtë çast mund të harrojnë në disa çaste, por nëse deri tani pikëpyetja ka qenë e hapur, ajo ka fituar më tepër terren, është bërë më e pranishme dhe më akuzuese.

Personalisht, duke qenë njohës i rrjedhave të kohës dhe i mekanizmit që ka vepruar rreth dhe për Gjykatën Speciale, rrugët që janë ndjekur, strukturat që kanë qenë, Basha nuk ka patur as forcë dhe as autoritet për të dërguar njeri në Hagë. Edhe nëse do të kishte dashur ta bënte, nuk do të kishte mundur. Shqiptarët në UNMIK mund të ishin më të zellshëm se sa duhet, mund të trafkonin dosje, si ka ndodhur me dosjet e Haradinajt dhe të Millosheviçit, por nuk mund të krijonon dosje. As Basha nuk mund të krijonte. Mos e bëni më të rëndësishëm nga sa ka qenë. Mund të ketë qenë më i zellshëm se sa zakonisht, ashtu si ndodhi me dhëndrrin e Berishës, Malltezin, por fuqia ka qenë në duart e shumë e shumë të tjerëve.

Me hedhjen e tymnajës Basha nuk e mbuloi atë që dukej zbuluar, por e bëri edhe më të dyshimtë, i veshi dyshimit edhe një petk më shumë, pikërisht sepse u mundua ta mbulonte me një gjetje makabre.

Së dyti: Akuza makabre e Bashës për vdekjet e panumëruara, edhe nëse mund të jetë e saktë në një të dhjetën e saj apo të jetë dhjetra fish më shumë, nuk përbën fajin e qeverisë dhe reagimi i mjekëve, të cilët u akuzuan fillimisht ishte në të drejtën e tij. Ka disa muaj që mjekët janë bërë njerëzit më të domosdoshëm të shtetit; vlera e tyre sot kapërcen mbi të gjitha qeveritë, mbi opozitën, që shpalli një plan pesë pikash, thua se ishte dora e argjendtë e shpëtimit dhe pandemia nuk është në të gjithë botën, mbi presidencën, që të duket se është kthyer në një repart sulmues.

Duke qenë se prej shumë kohësh është synuar krijimi i aferave të mëdha dhe duke e ditur se çështja e qendrave të përpunimit të plehrave nuk ngjit edhe aq shumë tek njerëzit, megjithëse është një mega-aferë, u gjet një çështje tjetër. Pra, motivimi përmes së keqes. Përmes vdekjes. Llahtarisë. Tmerrit. Që mori përmasa të çmendura me pamjet nga morgu. Të shfaqura edhe nga një komedian. Të kthyera në mjet politik. Si arkmorti i Hajdarit në shtatorin e vitit 1998 që desh të shkallmonte dyert e qeverisë dhe pastaj u braktis në mesin e bulevardit. Që nuk kishte në përcjellje asnjë nga “miqtë” e tij të afërt të sotëm.

Strategjia e opozitës për të ardhur në pushtet përmes dhunës, makabres, shkatërrimit, kërcënimit, linçimit politik është një rrugë që ka pasur rrugë në vitin 1992, kur njerëzit e lodhur nga sistemi i shkuar nuk donin më prishje, dhunë e zjarre, por është i largët për ditët e tashme.

Rasti Babale duhet të ishte bërë mësim për opozitën dhe liderin e saj. Dështimi i atij montazhi fatkeq është humbje e besimit.

Së treti: Akuza e Bashës nuk është gjetje e duhur, sidomos në një kohë tejet të gabuar. Më shumë se gjysma e debatit rreth rolit të Bashës në luftën e Kosovës është përqendruar rreth dhe për Shtëpinë e Verdhë, ku, sipas akuzës së shërbimit të specializuar serb, kaluar senatorit Dick Marty, janë bërë operacione klandestine, janë hequr e trafikuar organe, janë vrarë njerëz, sidomos të nacionalitetit serb.

Një akuzë që shërbeu për të kërcënuar dhe fajësuar UÇK-në dhe liderët e saj dhe që tani nuk ekziston.

Dihet përse shërbimi special e hodhi gjithë këtë akuzë. I duheshin të vrarë, të vdekur, të gjymtuar, të sakatosur, për të harruar krimet e ndodhura.

Krahasimi me rolin e Bashës në akuzën e tij për fshehjen e të vdekurve nga Covid-19 çalon, por ka diçka të përbashkët: kabarën e sjellë në këtë shembull dhe, mbi të gjitha, kapërcimin e një situate përmes një ngjarje që tejshkon mendjen njerëzore.

Gabimi i madh i Bashës dhe trupës rreth tij nuk qëndron thjeshtë e vetëm se ngritën një akuzë monstruoze. Mbi të gjitha, duan apo nuk duan, ata u shfaqën edhe më të pandjeshëm ndaj një situate ku kërcënimi i vdekjes, ankthi i të papriturës po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në jetët njerëzore.

Loja me vdekjen nuk është lojë me votat dhe nuk mund të jetë. Ajo trondit për një çast, si ndodhi me raportin rreth Shtëpisë së Verdhë, por, kur gjërat fashisten, pyetja e parë që bëhet është: përse tani, në këtë moment, kur është në pikëpyetje një rol krejt tjetër i liderit të opozitës, kur ballafaqimi nuk bëhet përmes të vdekurve, por fakteve, ndodhive, gjërave konkrete dhe reale.

Së katërti: Basha, jo pa dashje dhe jo rastësisht, në shumë segmente të politikës së tij, ndoshta pikërisht atëherë kur mendohet se po ecën drejt një rruge moderatore, të qetë, të bindshme, shfaq egërsi të skajshme, të kujton politikën e rrugës apo gjuhën e Berishës, e cila ndjell të vrarë, vdekje, mizori, tërheqje zvarrë etj.

Ka shtatë vite që bëhen kërcënime të tilla nga opozita e tash dy vite edhe nga zyra presidenciale, që kalon në grotesk duke përmendur Salvator Alenden, Vojo Kushin, Mic Sokolin, nëntë malet e Dibrës, ndërsa hidhet valle në ditëlindjen e një komediani tjetër.

Kërcënimet as nuk e kanë kthyer nga qeverisja Edi Ramën dhe, nëse vazhdohet edhe më tej me këto përçartje politike, nuk do ta tundin edhe më tej. Ndërsa Basha dhe njerëzit rreth tij kërcënojnë e nuk organizojnë, Edi Rama i ka mbledhur tash disa muaj të gjitha strukturat e tij politike, drejtues bashkish dhe prefekturash, biznesmenë, afaristë, “të fortë” dhe të pasur, ka ndarë qokat e tashme dhe ka premtuar qokat e nesërme, e ka ndërtuar shumë më cilësisht se sa pararendësit e tij. Paranë e ka shpërndarë ku ka dashur, por Basha e trupa rreth tij duhet të jetë naive të mos e dinë se ky investim do i kthehet në vota.

Alibia e Bashës për anonimët e informimit nga frika e hakmarrjes shtetërore është po aq naive, sa edhe vetë qëndrimi i tij dy ditë më pas se qeveria po fsheh të vdekurit dhe manipulon provat.

Çdo ditë, çdo çast, edhe tani mjekë të ndryshëm, disa nga frymëzimi i tyre dhe disa të porositur po dalin kundër vendimeve qeveritare, po shpallin hapur bindjet e tyre, e nganjëherë është shkuar edhe më tej: në përhapjen e fotove dhe videove që nuk duheshin bërë kurrë publike, për vetë ankthin që hapin.

Pandemia nuk është shqiptare e as vetëm në Shqipëri. Por rrallë herë qenë qytetarë të një vendi kaq të papërgjegjshëm ndaj një paralajmërimi për vetë jetën e tyre dhe të të afërve që i rrethojnë. Mjekët që ka pranë vetes lideri i opozitës duhet të paktën t’i tregojnë se e vërteta e saj nuk është në shpalljet politike, por në atë pjesë reale që kërcënon jetë.

Njerëzit, edhe pse të lodhur nga qeverisja e dytë Rama para makabrës së vdekjeve dhe shpresës për jetë, qoftë edhe e sajuar, do të zgjedhin këtë të dytën.

Basha e nxiti kauzën e gabuar në një moment të gabuar. Ai ka menduar se pas kësaj qeveria do të dërmohet, do të bjerë dhe njerëzit do e ftojnë atë për të qeverisur. Nëse ka pasur një iluzion të tillë, atëherë do të ketë zhgënjimin e madh, që do të jetë i merituar.

Ka qenë prej shumë kohe i përgatitur babalizimi i vdekjeve. Sinjalet janë dhënë nga mjekë të opozitës që, ose nuk kanë qenë kurrë mjekë, ose e kanë harruar prej kohësh zanatin e tyre. Paralajmërimet ishin bërë dhe pritej momenti kur do të hidhej.

Dhe u gjet momenti më i gabuar, në një kohë të prapshtë, që nuk hoqi, por shtoi dyshimet rreth rolit të liderit të opozitës në një ngjarje e kohë madhore: Lufta e Kosovës.

Duke dashur të hedhë mbi supe qyrkun e pafajsisë, lideri i opozitës hodhi mbi vete një qyrk tjetër, që nuk e hoqi të parin.

Një ditë gjërat do të jenë të hapura, veç nuk e di nëse Basha do të jetë ende lideri i opozitës.

—

Gazeta DITA

Back to top button
LAJMET E FUNDIT