Qyteti magjik i Gjirokastrës

Fitim Çaushi
Arkitekti Agron Doraci, i cili ka projektuar disa nga veprat social-kulturore të qytetit, ndër të cilat Universitetin “Eqrem Çabej”, ka restauruar Shtëpinë Muze të Ismail Kadaresë etj., e ka ndjerë si detyrë qytetare trajtimin e vlerave arkitektonike, historike dhe estetike të qytetit gurtë të Gjirokastrës.
I tejngopur nga vlerat e saj të veçanta, të përjetuara fuqishëm prej 80 vjetësh, ai zbrazi në një botim serioz, me një stil elegant dhe kompetencë profesionale e estetike, teknikat e ndërtimit, bukuritë e brendshme dhe të ashtme të këtij qyteti magjik. Në punimin e tij, lexuesi ndien qysh në fillim krenarinë e autorit si bir i atij qyteti, ndien dashurinë e madhe të tij për tërësinë dhe madhështinë e këtij ansambli arkitektonik, veçanërisht nderimin për banorët, mes të cilëve është rritur dhe formuar në karakterin dhe botkuptimin e tij.
Libri ndahet në 15 kapituj dhe përcjellë historikisht; ngulimin e qytetit në këtë shpat mali, etimologjinë e emrit të tij, lindjen e kalasë, lindjen e qytetit. Me një profesionalizëm korrekt, Agron Doraci hedh dritë mbi origjinën e qytetit. Ai guxon dhe shtron hipoteza, që duken realiste dhe të studjuara prej dekadash, por nuk shmang faktin se zotëruesi i parë i këtij qyteti ka qenë Gjin Zenebishi, qysh nl shek e XIV.
Pas pjesës historike, autori hedh dritë mbi funksionet e ndërtimeve karakteristike të qytetit, mbi mjetet shprehëse të arkitekturës gjirokastrite: mbi harmonininë në kombinimin e masave volumore, mbi plasticitetin vizual, sintezën me artet e aplikuara, shfrytëzimin dhe lidhjen organike me terrenin etj.
“Është shkencore – shkruan autori – kur të dhënat historike vijnë si rezultat i studimit të materialit faktik në terren, i strukturës së ndërtimit, teknologjisë, arkitekturës, teknikës së ndërtimit, i materialeve, i analizës së materialit arkeologjik të gjetur në objekt. Në këtë rast studimi bazohet tek analogjia me objekte të tjera, që kanë të njëjtën strukturë, teknologji materiale e objekte arkeologjike, që iu njihet koha e ndërtimit. Punime në kalanë e Gjirokastrës janë kryer fare pak, nuk ka dokumentim të shkruar shkencor për gjetje të ndryshme, me interes për problemin e datimit të kalasë”.
Me saktësi dhe përpikmëri, autori përshkruan tipet e banesës gjirokastrite, të cilat i japin bukurinë, madhështinë magjepsëse atij ansambli arkitektonik të pa ngjarë me një tjetër. “Banesa gjirokastrite, me volumin e saj relativ të konsiderueshëm, me pamjet e saj të jashtme emocionale, të habitshme, të krijojnë iluzionin, se të imponin një jetë komplekse e misterioze. Ata që e kanë jetuar, e kanë njohur, e kanë studiuar, e dinë se një jetë fare e thjeshtë është zhvilluar e zhvillohet nën ato saraje…Shumë studjues këmbëngulin se banesa gjirokastrite ka karakter fortifikues. Ky funksion nuk është analizuar dhe argumentuar, por është nënvizuar…Banesa gjirokastrite nuk ka frëngji për të qëlluar me armë, ndonëse këto banesa janë krijuar në shek XVII-XIX, kur kishte dalë arma e zjarrit. Funksioni fortifikues është vetëm një iluzion”.
Pasi parashtron fakte e analiza konkrete, Doraci trajton edhe lidhjet ndërvepruese pronar-ndërtues: “Ekzistenca e modulit funksional, e ka lehtësur shumë krijimin arkitekturor nga mjeshtrat popullorë, ka krijuar mundësinë e komunikimit paraprak me qytetarët gjatë “projektimit”. Pasi studionte terrenin në dispozicion, mjeshtri me intuitën e tij të fuqishme, e zotëronte mundësinë e ndërtimit në këtë truall… Do të vendoste pronari programin funksional të banesës, sipas shijeve dhe mundësisë financiare të tij”.
Autori përshkruan hollësisht me plot detaje, banesën me katër kate, me tre kate, banesën me dy module në kat dhe mjedisin ndërlidhës në mes, bansën me tre module, banesën me katër module funksionale në kat dhe bansën me tre oda, dy qilare me shkallë të jashtme. Të gjitha tipet e banesave janë të shoqëruara me skicat përkatëse dhe fotografi. Pasi përshkruan odatë, tavanet dekorative zbukuruar me trekëndësha, lule, shqiponja, rozeta me rreze dielli, çardakët, arkadat me dy harqe, ai thekson pamjen e jashtme piktoreske.
“Bazë për formulimin planimetrik e volumor të banesës gjirokastrite, mbetet e padiskutueshme moduli funksional që nuk mungon në asnjë banesë…Kërkesa e vazhdueshme e banorëve gjirokastritë për gjelbërim, krahas aspektit dekorativ, ishte edhe karakteri aromatik. Karakteri dekorativ dhe aromatik janë dy tiparet karakteristike të gjelbërimit në banesën gjirokastrite”.
Nuk mungojnë në libër edhe kuriozitete interesante, sikundër është lindja në banesën e Asllan Bejës, e kryeministrit të parë të Greqisë, Kapodistria!
Një vend të veçantë në studim, zë shtëpia e Ismail Kadaresë, e restauruar në mënyrë mjeshtërore, e cila e përforcon opinionin se banesa e Gjirokastrës është përkatësi e banorëve të pasur dhe të kulturuar. Me këtë restaurim mjeshtëror Agron Doraci realizoi një nga punimet më të realizuara në arkitekturën e qytetit të Gjirokastrës, që do t’i mbetet kurorë bukurie këtij qyteti magjik.
Autori na njeh me detaje të punës për restaurimin e kësaj banese dhe për peripecitë e financimit. Shtëpia ka vlera arkitektonike që justifikojnë kategorizimin e saj si monument kulture. Arkitektura e banesës, mobilimi tradicional do të plotësojë kuadrin e një banese tipike gjirokastrite, që do të forcojë imazhin e plotë të etnografisë dhe kulturës qytetare gjirokastrite. Me një vlerësim maksimal, autori falenderon mjeshtrat e parë që ndërtuan banesën e Kadaresë; Mihon, Kolën dhe Gjikën, emrat e të cilëve ndodhen të gdhendura në pllakën e gurtë, murosur në këtë banesë. Autori falenderon gjithashu edhe mjeshtrat e gdhendjes së gurit, drurit e hekurit, që punuan me përkushtim për një restaurim me cilësi të këtij monumenti të rrallë kulturor.
Arkitekti Doraci ka studiuar shumë autorë që shkruajnë për Gjirokastën dhe konsideratat e tye i ka bërë pjesë të librit, ndër ta Çelepiun e shek të XVII, dhe Johan George Hahnin, i cili në librin e tij “Studime shqiptare” ka theksuar: “Këto ndërtesa kanë një farë ngjasie me kështjellat qytetare të kohës së mesme, bile stili primitiv, po interesant i tyre, ngjan më fort me Perëndimin, se sa me Lindjen”.
Me një respekt të madh Agron Doraci flet për hebrejtë si banorë të vjetër të qytetit, disa simbole të të cilëve, janë skalitur në dru në shtëpitë gjirokastrite dhe në gurët e portave hyrëse të shtëpive, si: Ylli i Davidit dhe shandani me shtatë qirinj. Një vend nderi ka në studim edhe arkitekti italian, Vitaliano Poseli, i cili ka jetuar në Gjirokastër 10 vjet, dhe ka projektuar një sërë ndërtesash që shquhen për vlera estetike.
Në fund të punimit autori bën një analizë për një plan të ri urbanistik për Gjirokastrën, duke theksuar, se plani rregullues i Gjirokastrës është mjaft i vështirë për shkak të morfologjisë së terrenit dhe shtrirjes së monumenteve në shkallë qyteti. “Shtrirja e qendrës historike, si pjesa më me vlerë e qytetit muze dhe si kategorizim i saj në zonën muze dhe të mbrojtur, ka qenë dhe duhet të jetë pjesë e planit rregullues dhe njëkohësisht pjesë e pandarë e ligjit mbi qytetin muze të Gjirokastrës. Ky plan duhet të rivlerësojë këtë pasuri kulturore e historike të trashëguar, të sigurojë disiplinimin e ndërtimeve për një periudhë shumëvjeçare në kuadrin e unitetit urbanistik të tij. Ai jo vetëm duhet të sigurojë konservimin fizik të objekteve muzeale, por edhe të evidentojë ansamblet arkitektonike karaktristike në pamjet panoramike të soditura nga pikat me përqendrim njerëzish dhe sidomos gjatë lëvizjes në rrugën nacionale dhe atë të hyrjes në qytet. Ndofta duhe t’i rikthehemi idesë që zona me ndërtime muzeale dhe ajo me ndërtime të reja, të ndahen me një brez gjelbërimi”.
Ky mbetet edhe meraku i madh i arkitekt Agron Doracit, i cili ia përkushtoi jetën e tij qytetit magjik të Gjirokastrës, qytetit legjendë, qytetit të gurtë nga rrënja e deri në çati, si të ishte një mbirje natyrore e Malit të Gjerë, që përjetësisht ka përcjellë e do të përcjellë edhe në të ardhmen, emocione, befasi dhe kënaqësi estetike.
Frymëzimet e arkitekit Doraci, në vlerësimet dhe përshkrimet e pasurisë materiale të qytetit të tij, mbeten nxitje edhe për intelektualë të qytetit, për ta pasqyruar atë në fusha të ndryshme të zhvillimeve shoqërore nga koha në kohë.