Rama: Iliri, Monika, Luli dhe Saliu shpresojnë për katastrofë shëndetësore që të vijnë në pushtet

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kërkesës së presidentit Ilir Meta për të ndërmarrë masa emergjente, pasi sipas tij ‘sistemi shëndetësor rrezikon të zhytet në kolaps të thellë, me pasoja tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve’.

Kreu i qeverisë thotë se strategjia e opozitës është e turpshme, pasi shpresojnë të vinë në pushtet duke ëndërruar për një katastofë shëndetësore.

“Ilir, që ti Monika Luli Saliu i keni varur shpresat tuaja të lodhura për pushtet tek ëndrra e katastrofës shëndetësore, këtë e kupton çdokush me dy fije mend! Që do dështoni edhe më keq se herë tjetër këtë do ta shihni në 25 prill! Kjo që bëni është një turp që do u mbetet juve!“, shkruan Edi Rama.

Çfarë shkruante Ilir Meta më herët

“Në mungesë të një plani dhe strategjie konkrete për të përballuar përhapjen masive të pandemisë COVID-19, të reflektuar me shtim çdo ditë të numrit të qytetarëve të infektuar, fatkeqësisht edhe të humbjeve në jetë, sistemi shëndetësor rrezikon të zhytet në kolaps të thellë, me pasoja tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve.

Në këto kushte, është tepër e domosdoshme të shtohet masivisht numri i testimeve, si një mjet efikas për gjurmimin dhe trajtimin në kohë të qytetarëve të prekur nga COVID-19.

Për këtë qëllim të miratohet pa vonesë edhe një plan koordinimi i qartë dhe transparent me sistemin privat, për të bashkuar të gjitha energjitë dhe kapacitet e duhura.

Thelbësore gjithashtu është vënia në efiçencë të plotë të mjekut të familjes, shtimi i stafit mjekësor dhe atij mbështetës, si dhe planifikimi i buxhetit të duhur në ndihmë të tyre.

I bëj thirrje Qeverisë të bëjë çdo përpjekje për rimbursimin e plotë të shpenzimeve, veçanërisht të pacientëve që mjekohen në banesë, të familjeve me ndihmë ekonomike dhe të pensionistëve.”, shkruante presidenti.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT