RAPORTI: Agjencia Moody’s zhvlerëson ekonominë shqiptare, ul notën e dy prej indikatorëve

Në analizën më të fundit të kreditit për vendin tonë, të siguruar ekskluzivisht nga “Scan Intelligence Unit”, agjencia e vlerësimit të kreditit, Moody’s vlerëson me notë aspekte të ndryshme të ekonomisë sonë.
Në 2 prej 6 indikatorëve, agjencia ka ulur notën.
Indikatori i forcës ekonomike është zhvlerësuar, nga “ba1”, në “ba3”.
“Ne e kemi ulur notën nga “ba1” sepse besojmë se forca ekonomike e Shqipërisë është më e dobët, si pasojë e diversifikimit të kufizuar të ekonomisë si dhe bazës së ngushtë të eksporteve, krahasuar me vendet e tjera që ndajnë të njëjtën notë vlerësimi të borxhit, si Bosnje Hercegovina, Armenia, Gjeorgjia apo Serbia”, thotë Moody`s mes rreshtave.
Indikatori tjetër i zhvlerësuar është ai i forcës fiskale. “Ne e vlerësojmë forcën fiskale të Shqipërisë në “b1”, nën vlerësimin e mëparshëm në “ba2”, duke reflektuar rrezikun që vjen nga detyrimet e prapambetura”-thotë më tej agjencia, duke nënvizuar barrën e lartë të borxhit publik si një faktor të lartë risku.
Katër indikatorët e tjerë ndërkohë kanë ruajtur të njëjtën notë. Likuiditeti i qeverisë, vulnerabiliteti i jashtëm, institucionet dhe sektori bankar ruajnë të njëjtën notë.
Sa i përket sektorit bankar, të vlerësuar me notën “ba”, të pandryshuar, agjencia nënvizon se është likuid dhe i mirëkapitalizuar.
“Vlerësimi ynë në “ba” për sektorin bankar të Shqipërisë reflekton një sistem të madh, por të mirëkapitalizuar”, nënvizon agjencia, e cila shton se sektori vuan nga niveli i lartë i euroizimit.