Safet Gjici reflekton pas ‘shpullës’ së RAMËS, kërkon FALJE për heqjen e titullit ‘Nderi i Kukësit’ për Veton Surroin: U NXITUAM, por e kërkuan 57 famije nga UÇK

Një ngjarje e pazakontë u raportua sot, ku publicistit dhe politikanit nga Kosova, Veton Surroit, i hiqet titulli “Nderi i Qarkut Kukës”, i dhënë nga Këshilli i Qarkut në vitin 2015.
Pas “shpullës” së kryeministrit Edi Rama, i cili e quajti vendimin “një lajthitje”, Kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici kërkoi ndjesë publike.
Vendimi i nxituar, sipas tij erdhi pas kërkesës së 57 familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së.
“Në emër të Bashkisë Kukës kërkoj ndjesë për veprimin e nxituar sot në Këshillin e Qarkut , lidhur me vendimmarrjen për heqjen e Titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit, pas kërkesës së 57 familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së!
Duke u ndjerë shumë pranë atyre familjeve dhe dhimbjes së tyre në raport me këtë kohë lëndimesh për UÇK nuk e menduam më gjatë kërkesën e tyre emocionale”, deklaron Safet Gjici, kryetar i Bashkisë Kukës.
Reagimi i Ramës
“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve.
Ky vend s’mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s’ka president që jep medalje për heronjtë e luftërave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s’ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd!”
Çfarë tha Gjici më herët
Safet Gjici deklaronte më heret se heqja e titullit është më së e arsyeshme për shkak të fushatës mediatike dhe politike që Veton Surroi po bën kundra Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ai po bën fushat politike, mediatike kundra ushtarëve dhe ne nuk mund ta pranojmë këtë ‘Nder i Qarkut. Çfarë deri është ku? Duhet ta heqim sot dhe le të shkojë ta çojë në gjykatë”, shprehet Gjici.
Këshilli i Qarkut Kukës, në vitin 2015 me propozim te Klubit letrar “Anton Pashku”, Kukës, vlerësoi personalitetin e njohur, Veton Surroi, me titullin e lartë “Nderi i Qarkut Kukës” me motivin “Për kontribut të veçantë në fushën mediale dhe politike gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.