Serbët tregojnë forcën politike në veri, shqiptarët pesimistë për ditë më të mira (VIDEO)

Është hera e tretë që brenda mandatit të rregullt po votohet për kryetar të Mitrovicës Veriore.

Por njësoj, anëtarët e Listës Serbe duan ta tregojnë forcën politike e elektorale në këtë komunë të banuar me shumicë serbe. Këta mblodhën shumë votues për t’i marrë me vete në Shkollën Teknike, aty ku ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, njofton Klan Kosova.

Kandidati për kryetar i kësaj partie, Milan Radojeviq, u shpreh i bindur në fitore. Ai tha se do të punojë në një vijë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Madje sikur ky i fundit e përmend edhe togfjalëshin “Kosovo i Metohije”.

Shefi partiak i tij, Goran Rakiq, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, theu heshtjen zgjedhore.

“Pres fitore bindëse të kandidatit të Listës Serbe, Milan Radojeviq, pasi kemi edhe mbështetje nga shteti i Serbisë dhe presidentit Vuçiq”, deklaroi ai pasi votoi.

E në një qendër më të qetë votimi, në Lagjen e Boshnjakëve, kandidatët shqiptarë nuk morën me vete përkrahës.

Veçse Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje e Florent Azemi nga Partia Demokratike thanë se presin mbështetje nga komunitetet komunale, ndërsa patën ankesa të vogla për procesin zgjedhor.

Votuesit shqiptarë u shprehën pesimist se ky proces do të ndikojë në jetën e tyre. Por ndryshe i kanë pritjet serbët e zonës të cilët thanë se presin ditë më të mira.

Veriun e Mitrovicës e vizitoi gjatë ditës ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, për të parë nëse po respektohen masat anti-COVID-19.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT