Shaip Kamberi: Çështja e Shqiptarëve në Jug të Serbisë të përfshihet në Dialogun Beograd-Prishtinë

Deputeti i opozitës në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se politika e Serbisë ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë tërësisht, nëse Beogradi kërkon paqe në rajon. Deklaratat e Kamberit në disa seanca të Kuvendit të Serbisë e kanë kthyer atë në qendër të vëmendjes në opinionin serb.

Kamberi u kritikua e u sulmua pasi përmendi mizoritë, diskriminimin, por edhe gjendjen e politikës në Serbi. Shumë serbë e lavdëruan duke e quajtur liderin e ri të opozitës serbe, pasi replikat kryesore në Kuvend zhvillohen mes Shaip Kamberit dhe deputetëve që shumica i takojnë maxhorancës.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 21 qershorit, qeveria u formua katër muaj me vonesë dhe me paralajmërimin, se kjo qeveri do të ketë kohë të limituar prej një viti e gjysmë. Serbët do të mund të votojnë sërish për parlamentin dhe njëkohësisht edhe për presidentin e vendit në prill të vitit 2022. Shumë parti opozitare i bojkotuan zgjedhjet pasi ishin të mendimit, se nuk ka kushte të mjaftueshme për zgjedhje të lira dhe demokratike, duke akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuciq për kontroll total të mediave.

“Besoj se tema e ripërkufizimit sidomos me zgjedhjet e fundit në Shtetet e Bashkuara, me presidentin e ri, nuk është në tryezën e bisedimeve. Ajo që për ne në këtë moment është me rëndësi, që ne insistojmë në radhë të parë tek institucionet në Kosovë është që çështja e shqiptarëve të shtrohet në bisedimet me Serbinë në formën e aprovimit dhe aplikimit të parimit të reciprocitetit në të drejta. Kosova e ka këtë të drejtë morale politike dhe kombëtare, sepse ajo me standardet e veta të ndërtuara në kushtetutë dhe ligjet e tjera ka garantuar të drejta që nuk i gëzon asnjë pakicë në Ballkanin Perëndimor dhe as në Evropë. Ka të drejtën e plotë që të kërkojë, që standardet e njëjta ose të ngjashme të zbatohen edhe në Luginë të Preshevës për shqiptarët”, ka thënë Kamberi në një intervistë për DW.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT