Shpëthimi i COVID/ Meta thirrje urgjente: Të rimbursohen ata që mjekohen në shtëpi, rritni testimet
Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar qeverisë marrjen e një sërë masash, pas rritjes së rasteve me COVID dhe numrit të vdekjeve.
Kreu i shtetit kërkon që të rritet numri i testimeve dhe të miratohet një plan koordinimi edhe me spitalet private.
Gjithashtu, presidenti kërkon vënien në efiçencë të plotë të mjekut të familjes, si dhe shtimin e stafit mjekësor dhe atij mbështetës. Meta kërkon edhe rimbursim të plotë të shpenzimeve, veçanërisht të pacientëve që mjekohen në banesë.
“Në mungesë të një plani dhe strategjie konkrete për të përballuar përhapjen masive të pandemisë COVID-19, të reflektuar me shtim çdo ditë të numrit të qytetarëve të infektuar, fatkeqësisht edhe të humbjeve në jetë, sistemi shëndetësor rrezikon të zhytet në kolaps të thellë, me pasoja tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve.
Në këto kushte, është tepër e domosdoshme të shtohet masivisht numri i testimeve, si një mjet efikas për gjurmimin dhe trajtimin në kohë të qytetarëve të prekur nga COVID-19.
Për këtë qëllim të miratohet pa vonesë edhe një plan koordinimi i qartë dhe transparent me sistemin privat, për të bashkuar të gjitha energjitë dhe kapacitet e duhura.
Thelbësore gjithashtu është vënia në efiçencë të plotë të mjekut të familjes, shtimi i stafit mjekësor dhe atij mbështetës, si dhe planifikimi i buxhetit të duhur në ndihmë të tyre.
I bëj thirrje Qeverisë të bëjë çdo përpjekje për rimbursimin e plotë të shpenzimeve, veçanërisht të pacientëve që mjekohen në banesë, të familjeve me ndihmë ekonomike dhe të pensionistëve.”, shkruan presidenti.