Shqiptarët e Preshevës humbin durimin: Shqipëria të rishikojë marrëdhëniet diplomatike me Serbinë

Përplasjet më të fundit kur Beogradi reagoj ashpër nga nxjerrja e flamurit kombëtar prej deputetit Shajip Kamberi në Parlamentit të Serbisë dhe refuzimit të titullit “qytetar Nderi” nga Beogradi të shefit të diplomacisë shqiptare ka sjellë reagime të ashpra nga faktori politik shqiptar.
Një nga politikanët e rinj në komunën e Bujanovcit, më e madhja në Luginë, Arber Pajaziti, ka kërkuar nga Tirana zyrtare që të rishikojë menjëherë marrëdhëniet diplomatike me Serbinë, duke mos lejuar që Beogradi të sillet keq me Shqiptarët.
Ndërkaq, kreu i komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi kërkon që shqiptarët të bashkohen pa dallim dhe t’i lënë menjëherë dasitë pasi kombi është në rrezik.
Postimi i Shqipërim Arifit
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi ka uruar qytetarët e Preshevës dhe mbarë shqiptarët me rastin e Ditës së Flamurit, 28 Nëntorin.
“Sot, është një moment i duhur ku duhet të ndalemi dhe ta nderojmë historinë tonë, përpjektet e kombit tonë për liri, pavarësi e dinjitet.
Kjo datë është dhe do të mbetet gjithmonë datë historike për gjithë kombin Shqiptar.
Është vlerë që duhet të ruhet dhe të kultivohet në shenjë rrespekti për pasardhësit tanë, për të tashmen dhe të ardhmen e brezave që do të vijnë.
Shqiptarët historikisht kur janë bërë bashkë kanë bërë gjëra të mrekullueshme që janë të pabesueshme për tu bërë, andaj kërkoj në këtë festë të madhe të jemi bashkë të gjithë Shqiptarët anë e mbanë globit, ti harrojmë ndasitë, kundërshtimet dhe debatet me njëri-tjetrin, se vetëm të bashkuar kemi një të ardhme më të ndritur.
Jemi në kohë pandemie dhe nuk kemi bërë asnjë organizime, të shmangim grumbullimin e njerëzve, vetëm e vetëm ta ruajmë shëndetin tonë dhe të familjarëve tonë.
Qytetar të nderuar të komunës së Preshevës, të nderuar Shqiptarë kudo që ndodheni, e dashura Diasporë,
Urime 28 Nëntori- Urime Dita e Flamurit Kombëtar!” ka shkruar Arifi
Arbër Pajaziti
Menjëherë pas refuzimit të Ministrisë serbe të pushtetit lokal për të verifikuar vendimin e KK të Bujanocit për të shpallur „Qytetar nderi“ Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka reaguar ktyetari i APN-së Dega në Bujanoc, Arbër Pajaziti.
Postimi i plotë i Pajazitit:
Refuzimi i ministres së pushtetit lokal me arsyetim e saj banal për të dhënë pëlqimin në vendimin e Kuvendit Komunal të Bujanocit për të shpallur „Qytetar nderi“ z.Gent Cakaj tregon fytyrën e vërtetë të „demokracisë“ qeveritare në Serbi.
Është për të ardhur keq se si retorika e lidershipit të Beogradit i ngjason shumë asaj të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar ndërsa proklamimi europian mbetet vetëm se një maskim fallco i trashëgimisë Millosheviqiane.
Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve, pa marrë parasysh ku jetojnë ata, trajtimi i simboleve tona, shlyerja nga evidenca civile dhe diskriminimi në çdo pore të jetës përfundimisht po vuloset edhe me vendime anticivilizuese.
Të refuzosh diplomatin z. Gent Cakaj, që i përket plejadës së re të politikanëve jo vetëm në rajon por edhe në Evropë është kulmi i prapambeturisë së një qeverie injorante.
Pa marrë parasysh këtë akt të ministres, z. Cakaj është dhe do të mbetet jo vetëm „Qytetar nderi „i Bujanocit por edhe zyrtari më i nderuar i Shqipërisë për të gjithë Luginën.
Ky veprim i Beogradit duhet të alarmojë edhe Tiranën zyrtare në rishikimin e mardhënieve diplomatike me shtetin i cili shqiqptarët, pa marrë parasysh ku jetojnë ata, vazhdon t’i shoh si armiq dhe të prapamendur.
Shqipëria duhet të ketë kujdes sidomos në nismat rajonale në partneritet me shtetin serb.
Historia na ka mësuar se politika serbe e njeh vetëm gjuhën e kushtëzimeve dhe se asgjë nuk vepron në baza vullnetare.
Rasti me kryediplomatin Cakaj vetëm se na ka përforcuar këtë bindje.