Sulmi në Vjenë/ Agresori me origjinë shqiptare ish-futbollist i talentuar, mes 12 të dyshuarve edhe shqiptarë të Kosovës

Kujtim Fejzullahu, me origjinë shqiptare, është një nga agresorë e sulmit të mbrëmshëm në Vjenë të Austrisë, ku humbën jetën 4 persona, ndërsa 14 të tjerë u plagosën.
Mediat Austriake shkruajnë se Fejzullahu, i cili u vra nga policia mbrëmë, ka qenë futbollist i talentuar gjatë adoleshencës së tij në qytetin Mödling.
Pikërisht këtu dyshohet se ai ka rënë në kontakt me persona të tjerë, ekstremistë, disa prej të cilëve të dënuar më parë për terrorizëm. Fejzullahu ka qenë i njohur për radikalizmin e tij prej vitesh, ndërsa shkonte rregullisht në xhami.
Në mes të korrikut, 20-vjeçari kishte udhëtuar drejt Sllovakisë me një mik, ku kishte marrë municione për pushkën e tij AK47 (Kallashnikov).
Ata udhëtuan me nj automjet që i përkiste nënës së njërit prej kontakteve të shumta të dyshuara të të riut, një kosovar, i njohur gjithashtu për radikalizmin e tij.
Gjatë sulmit, 20-vjeçari me origjinë shqiptare thuhet se ka ecur nëpër qytetin e Vjenës i armatosur me një AK-47, një pistoletë dhe një hanxhar.
I riu u qëllua për vdekje nga policia. Deri më tani janë 12 persona të dyshuar, të moshës 16 deri në 25-vjeç, me origjinë nga Kosova, Bangladeshi e Çeçenia.