Takimi me naftëtarët, Rama: Ofrojmë një pagesë, jo sa paga, por më shumë se asistenca

Kryeministri Edi Rama, deklaroi pas takimit me naftëtarët se qeveria ka vendosur në dispozicion një pagesë, e cila nuk kap vlerën e pagave, por as të asistencën që do ofronte shteti në këtë rast.
Kreu i qeverisë la të kuptohet se bëhet fjalë për një pagë të ndërmjetme, por nënvizoi se qeveria nuk do paguajë të gjitha pagat e prapambetura të naftëtarëve.
Kryeministri bëri me dije se oferta e qeverisë do jetë deri në gjetjen e një investitori që të vëjë në punë rafinerinë.
“Më vjen mirë që diskutuam në këto kushte, pasi nuk mund të diskutonim në kushtet e grevës. Kemi ardhur me idenë për të qarë hallin më këta njerëz. Janë gjithë ato familje që kalojnë një moment aspak të lehtë. Nuk është çështja jonë pagat e prapambetura, është një çështje e tyre me kompaninë. Lidhet me detyrimet e kompanisë jo qeverisë. Qeveria nuk merr përsipër të zgjidhë ato çështje të cilat janë kompanitë që i zgjidhin. Por natyrisht çështja e këtyre njerëzve është një çështje që na takon ne. Rruga e thjeshtë ligjore do ishte të shkonin në zyrat e punës për asistencë. Pagat e prapambetura nuk janë çështja jonë. Propozuam që të marrim përsipër mbështetje financiare për punëtorët. Nuk jemi dorëzuar në lidhje me të ardhmen e kësaj rafinerie. Nuk mund ta di unë se kur do të nis puna në rafineri. Nëse vjen një kompani e re duhet të bisedohet me bankën. Do i paguajmë sepse nuk janë një grup i zakonshëm punëtorësh. Do vendosim në dizpozicion një mbështetje financiare, nuk do jetë paga që kanë, por as asistenca që ofron shteti. Ne sot jemi marrë vesh në parim.”, tha Rama.
Ende nuk ka një zgjidhje, pasi duhet të vendosin naftëtarët për ofertën e qeverisë.
Takimi i Ramës me naftëtarët erdhi vetëm pasi këta të fundit dolën nga greva e urisë.