Thaçi sot sërish para Hagës, Specialja: 100 mijë prova mbi 40 mijë faqe material kundër ish-krerëve të UÇK-së

Sot do të mbahet seanca e radhës në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve. Specialja kishte njoftuar pas seancave fillestare se më 18 nëntor do të mbajë seancën statusore duke filluar nga ora 11:00.

Kjo seancë shërben për bashkërendim të komunikimit mes prokurorëve dhe të akuzuarve, për çështje të nxjerrjes së provave dhe mbajtjes së gjykimit para se rasti të kalojë te trupi gjykues. Thaçi, dy ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte.

Prokuroria pretendon se lënda e saj disponon me gati 100.000 prova. Prokuroria, po ashtu thotë se materiali mbështetës për aktakuzën e paraqitur për konfirmim, ka pasur mbi 40 mijë faqe.

Radio Europa e Lirë bën të ditur se kundër tyre është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë, aktualisht gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes e thirr gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve midis palëve. Në këtë konferencë pritet që prokuroria të tregoj se me çfarë lloji të provave disponon.

Sipas një parashtrese të Prokurorit të Specializuar dërguar Dhomave të Specializuara për këtë konferencë, e të publikuar në faqen e tyre të internetit, prokuroria pretendon se për konfirmimin e aktakuzës ka disponuar me material prej rreth 43 mijë faqe, duke përfshirë raporte, deklaratat të dëshmitarëve, fotografi, e mbi 20 orë material audio-vizual.

Prokuroria thotë se mbrojtjes parashikon t’i dorëzojë provat siç janë raportet, fotografitë, dokumentet e UÇK-së, duke përfshirë urdhrat, rregulloret etj.

Rregullorja e Procedurës dhe e Provave para Dhomave të Specializuara parashikon se Prokurori i Specializuar duhet të njoftoj mbrojtjen për çdo material dhe provë që ka në zotërim, si dhe me kërkesë të mbrojtjes, Prokurori i Specializuar vë në dispozicion çfarëdo deklarate, dokumenti, fotografie. Kjo duhet të ndodhë brenda 30 ditëve që nga paraqitja e parë e të akuzuarve në gjykatë. Megjithatë, prokurori duhet të paraqesë arsyetime në rast të vonesave.

Sipas parashtresës së Prokurorisë, ajo parashikon sigurimin e hollësishëm të materialit me prova për mbrojtjen deri më 30 prill 2021, kurse shton se do të jetë në gjendje t’i ofrojë listën e plotë të dëshmitarëve deri më 31 maj 2021, me kusht që procedurat aktuale paraprake pranë Dhomave të Specializuara të jenë afër përfundimit dhe se në të njëjtën kohë është planifikuar fillimi i gjykimit.

“Prokuroria aktualisht parashikon shtimin e afërsisht 50 dëshmitarëve të tjerë në listën e dëshmitarëve për gjykimin, megjithëse numri përfundimtar i dëshmitarëve mund të ndryshojë, varësisht nga rezultati të hetimeve të mbetura”, thuhet në këtë parashtresë.

Prokuroria në parashtresë thotë se redaktimi i materialeve është diçka që duhet të bëhet me kujdes, si dhe që përkthimi i materialit mbështetës të aktakuzës në gjuhën shqipe është në proces e sipër.

Prokuroria akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për kryerjen e krimeve të luftës ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Prokuroria pretendon se viktimat ishin kryesisht njerëz që gjatë kohës së luftës perceptoheshin si bashkëpunëtorë të forcave serbe, të zyrtarëve apo institucioneve shtetërore apo edhe që nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së.

Kjo, sipas aktakuzës, përfshinte edhe personat e lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës – LDK dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”./REL

Back to top button
LAJMET E FUNDIT