Veton Surroit iu hoq titulli ‘Qytetar Nderi’ nga socialistët e Kukësit, Rama: Një lajthitje kolektive, të ndërhyhet sa më shpejt

Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar pas vendimit të këshillit bashkak në Kukës për heqjen e titullit ‘Qytetar Nderi’ për publicistin e njohur Veton Surroi.
Rama e ka konsideruar vendimin, ‘ një lajthitje kolektive’ ndërsa nuk ka kursyer as akuzat ndaj Presidentit të Republikës
“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve.
Ky vend s’mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s’ka president që jep medalje për heronjtë e luftrave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s’ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd!” shkruan Rama.
Argumentimi Këshillit të qarkut ishte se Surroi po sulmon UÇK-në. Vendimi është marrë nga Këshilli i Qarkut Kukës, në mbledhjen e radhës të mbajtur të premten. Sipas kryetarit të Këshillit, Abdulla Domi, vendimi është marrë si rrjedhojë e kërkesës drejtuar Këshillit të Qarkut nga dy intelektualë të Kukësit ,të cilët sipas Domit kanë paraqitur edhe argumentet përkatës.
Ndërsa, për kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjicin, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Qarkut heqja e titullit është më së e arsyeshme për shkak të fushatës mediatike dhe politike që Veton Surroi po bën kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ai po bën fushat politike, mediatike kundra ushtarëve dhe ne nuk mund ta pranojmë këtë ‘Nder i Qarkut. Çfarë deri është ku? Duhet ta heqim sot dhe le të shkojë ta çojë në gjykatë”, shprehet Gjici.
Këshilli i Qarkut Kukës, në vitin 2015 me propozim te Klubit letrar “Anton Pashku”, Kukës, vlerësoi personalitetin e njohur, Veton Surroi, me titullin e lartë “Nderi i Qarkut Kukës” me motivin “Për kontribut të veçantë në fushën mediale dhe politike gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.