A do lejohet të kandidojë? Përfundon takimi Osmani-Kurti, kreu i VV përgjigjet nëse do garojnë së bashku

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka zhvillur një takim me presidenten në detyrë Vjosa Osmani, lidhur me datën e zgjedhjeve.
Pas përfundimit të takimit me Ushtruesen e Detyrës së Presidentes së Kosovës Kurti ka deklaruar edhe njëherë se qeveria Hoti ishte jolegjitime, ndërsa shtoi se zgjedhjet janë të domosdoshme e pashmangshme.
“Së pari ne nuk kemi folur për një datë konkrete, por thjesht kemi shprehur dëshirën për një datë sa më hershme,” tha Kurti.
Pas takimit, mediat e kanë pyetur Kurtin nëse në zgjedhjet e ardhshme do të bashkohet në një listë zgjedhore me Vjosa Osmanin, por ish kryeministri është shprehur se,në takimin e sotëm nuk kanë diskutuar për këtë çështje.
“Unë sot kam pasur takim me ushtruesen e detyrës së presidentit, nuk kemi diskutuar çështje politike elektorale”, ka thënë ai.
Kurti i pyetur nga mediat nëse do të i lejohet që të garojë në zgjedhjet e ardhshme u shpreh se pret vendimin e plotë të kushtetueses.
“Në anën tjetër sa i përket hollësive që i ka përmendur Gjykata ne gjithashtu duhet të presim për aktgjykimin e plotë që ta themi aktgjykimin tonë, na nevojitet ta japim një interpretim të drejtë. Do ta merrni përgjigjen në aktgjykimin e plotë, unë do të jem në të gjitha takimet ne vijim nga Këshilltari ynë ligjor, Blerim Sallahu”.
Osmani do të takohet edhe me krerë të tjerë të partive politike për të caktuar datën e zgjedhjeve që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të mbahen brenda 40 ditësh.