Avokati Zaçe Islami thirrje protestuesve: Po t’u drejtua një civil pa shenja dalluese, këputja me grushte!

Avokati Zaçe Islami ka qenë sot pjesë e protestës kundër vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Në një prononcim për gazetarin Erjon Skëndaj Zaçe tha se tashmë duhet të kishte ndodhur dorëheqja e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Sipas tij në këto kushte mund të inkurajohen segmente të caktuara të policisë që të bëjnë krime.
Lidhur me shoqërimet apo arrestimet e protestuesve nga agjentë civilë, Islami iu bëri thirrje protestuesve që t’i qëllojnë me grushte pasi ata duhet të identifikohen me veshje (uniformë).
“S’më ngjan si protestë, por si shëtitje. Pasi që të ketë protestë, duhet të kërkojnë dhe të parashtrojnë kërkesat ndaj qeverisë. Të kërkojnë lirimin e atyre që mbahen nëpër burgje. Të kërkojnë që Drejtori i Policisë së Shtetit të japë dorëheqjen. Ai është i vonuar në dorëheqjen e tij. Qëndrimi i tij në detyrë, inkurajon segmente të caktuara të policisë që të bëjnë ato krime, dhe mund të dhunojnë qytetarët. Të vendoset dialogu, qetësia në vend. Kjo qetësi është qetësi para furtunës. Qytetarët që dolën dhe protestuan i kërkuan dorëheqje drejtorit të policisë. I kërkuan kryeministrit që të largojë Ardi Veliun. Po t’u drejtua një civil pa shenja dalluese, këputja me grushte, se s’jam i detyruar që ta respektojë. Një mjet identifikimi i policit në protestë është uniforma. Në momentin kur shkelet e drejta e qytetarit, në çdo vend të botës kur polici e ndalon thotë; mos fol se çdo gjë do të përdoret në gjyq. Janë shkelur të drejtat e qytetarëve. Kjo protestë është prelut i protestave që do të vijnë nga shqiptarët, kundër vaksinës që do të jetë vdekjeprurëse. Unë jam kundër vaksinës dhe maskës. Le të më gjobisin sa herë të duan, se unë si paguaj se 130 mijë lekë kam në muaj.”, tha ai.