Dorëheqje apo largim? Fshihen gjurmët e shqiptarëve të Kosovës në qeveri

Kryeministri Edi Rama i befasoi të gjithë në 2018, kur njoftoi emërimin në dy prej ministrive më të rëndësishme, të dy shqiptarëve nga Kosova.
Gent Cakaj dhe Besa Shahini morën përkatësisht drejtimin e Ministrisë së Jashtme dhe të Arsimit. Edhe pse nuk ishin të panjohur, pasi mbanin poste zv.ministrash, vendimi i Ramës, u quajt surprizë.
Por, vetëm dy vjet më pas, të dy janë larguar nga qeveria, duke fshirë kështu edhe gjurmët e shqiptarëve të Kosovës në kabinet.
Dorëheqje apo largim?
Ishte fillimisht Besa Shahini që u largua nga kabineti qeveritar, më 14 shtator 2020, për t’u zëvendësuar nga socialistja Evis Kushi.
Shahini kishte paralajmëruar ditë më parë se do të largohet nga Shqipëria sapo ta përfundonte mandantin e saj në krye të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë.
“Unë tashmë kam njoftuar dhe kryeministrin Rama dhe kam marrë një vendim se nuk do të vazhdoj të qëndroj në Shqipëri përtej këtij mandati. Jeta ime është e paqëndrueshme në Shqipëri pasi familja ime jeton në Kosovë. Në këto momente kur ka probleme nga këto siç jemi ballafaquar është pak e vështirë. Por, i kam thënë se jam në dispozicion që të shërbej, por nuk do të përfshihem në fushatë elektorale”, kishte thënë Shahini.
Gjithsesi, kryeministri ia preu mandatin në mes.
Edhe Gent Cakaj foli sot për “dorëheqje të parevokueshme”, ndërsa kryeministri teksa njoftoi emërimin e Olta Xhaçkës në vend të tij, nuk e përmendi dorëheqjen.
“Dëshiroj të ju njoftoj që sot, e martë, 29 dhjetor 2020, i kam paraqitur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem si kandidat për deputet, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar.
Dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim ndaj Kryeministrit Rama, për besimin e dhënë dhe bashkëpunimin e ngushtë në rrethana jo të lehta për Shqipërinë. Po ashtu, u jam shumë mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve dhe stafit të MEPJ, për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e përbashkët, për të ndërtuar një sistem diplomatik të denjë për ambiciet e Shqipërisë evropiane dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit qytetar e kombëtar.
Në mbyllje, nënvizoj, mes tjerash, se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim.
Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve për mbështetjen, kritikat e punën e përbashkët! E keni për jetë mirënjohjen time – shërbimi ndaj jush ka qenë nderi më i madh i jetës sime!”. Gazeta SHQIP