E vetmja e mbijetuar e familjes Bogujevci nga masakra serbe, deputetja rrëfen tmerrin: Pashë me sytë e mi si vriteshin familjarët

Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, është e vetmja e mbijetuar nga masakrimi i familjes Bogujevci më 8 mars të vitit 199. Ajo ka qenë vetëm 13 vjeçe kur 16 gra e fëmijë, të familjeve Bogujevci e Duriqi në qytetin e Besianës, u ekzekutuan nga forcat serbe.
Saranda në këtë masakër që ndodhi në oborrin e shtëpisë, humbi nënën, gjyshen dhe dy vëllezërit më të vegjël, e po ashtu edhe gruan dhe vajzën e xhaxhait.
Por, megjithë vuajtjet për humbjen e familjarëve, Saranda dhe dy fëmijët e xhaxhait te saj Jehona dhe Fatosi gjetën forcën për t`u përballur në gjyq me kriminelët serbë të cilët i vranë familjarët.
Ditën e sotme ajo ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live”, ku rrëfeu të gjithë ngjarjen e rëndë që ka ndodhur para syve të saj.
“Ajo çfarë ka ndodhur atë ditë ka ngelë në mendjen time, e po mësohemi të jetojmë me ato kujtime.
Ne ishim në shtëpinë tonë dhe ishte e stresuar familja e xhaxhait. Ishte edhe halla e babait me familjen e saj. Shtëpia ishte afër rrugës dhe në një moment u ndal një makinë, e ne vendosëm që të shkonim te shtëpia afër. Pas një kohe shumë të shkurtër, ushtria dhe policia serbe hynë në shtëpitë e fqinjëve dhe më pas në pjesën e pasme të oborrit ku ishim ne”, tregoi Saranda.
Deputetja e Vetëvendosjes shton se ishin të përgatitur për një gjë të tillë, duke parë se si ishte situata.
“Kërkuan që të ngrinim duart lart dhe nuk na lejuan që të merrnim gjë nga shtëpia. Prej aty na kanë dërguar jashtë në një prej rrugëve ku të çon në polici. Aty kanë ndarë babin e Enverit dhe axhën ë nënës në rrugë, i kanë vendosur në lokal dhe kemi dëgjuar dy të shtëna, ku i vranë.
Neve na kanë kthyer në oborrin e një shtëpie të fqinjëve. E më pas ata kanë shtënë drejt nesh. Gruan e xhaxhait kanë vrarë të parën e më pas kur nisën duke gjuajtur drejt nesh unë u ula dhe mbulova kokën. Kam parë me sytë e mi se si vriteshin nga serbët familjarët e mi”, rrëfeu ajo.
Saranda tregon se si kur kanë mbaruar të shtënat, ka ngritur kokën dhe ka parë se një pjesë e familjarëve kishin ndërruar jetë dhe disa kishin arritur që të mbijetonin.
“Shpëtuam unë dhe katër fëmijët e xhaxhait. Na kanë dërguar në spitalin e Prishtinës, e pas përfundimit të luftës rastësisht kemi takuar disa luftëtarë britanike dhe në shtator të vitit 1990 jemi dërguar në Mançester, unë dhe 4 fëmijët e xhaxhait”, tha Bogujevci.
Kjo e fundit shprehet se fakti që ka shkuar në Britaninë e Madhe ka qenë fat, që të ndiqte në mënyrë ligjore këtë ngjarje të rëndë.
“Për fatin tonë në këtë krejt fatkeqësi është se kemi qenë në Angli dhe kemi patur një përkrahje nga shteti britanik. Ka patur BBC që ka qenë e interesuar dhe ka ndjekur hapat tonë drejt drejtësisë. Fatkeqësisht kam vënë re se shumë familje nuk kanë patur mundësi që të kalojnë në këto faza që kemi marrë ne.
Nuk është fat të kesh mbështetje të ndërkombëtarëve, por të shtetit kosovar. Unë nuk e pata këtë të fundit, por pata fatin që kisha një shtet tjetër pas meje. Por është e rëndësishme se familjet kosovare të kenë shtetin e tyre përkrah”, tha Saranda.